Trepça ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj GO+ Pejës me rezultat 95:98 pas vazhdimeve, në kuadër të javës së 22-të të ProCredit Superligës së Kosovës në basketboll.
Ndeshja në Pejë ishte shumë interesante dhe dramatike nga fillimi deri në fund. Vendasit e nisën më mirë takimin, duke fituar çerekun e parë me rezultat 20:13, ndërsa mysafirët reaguan në periudhën e dytë duke e përmbysur rezultatin me shifrat 18:29. Pjesa e dytë e ndeshjes ishte e baraspeshuar, me të dy skuadrat që luftuan deri në sekondat e fundit për fitore.
Minutat e fundit të kohës së rregullt ishin shumë dramatike. Musab Mala realizoi një treshe të rëndësishme për rezultatin 87:87, duke bërë që ndeshja të shkojë në vazhdime. Edhe në pesëminutëshin shtesë loja mbeti e barabartë, derisa në sekondën e fundit organizatori i Trepçës, Ja'cori Payne, realizoi për tri pikë për rezultatin përfundimtar 95:98.
Payne e përfundoi ndeshjen me 27 pikë, pesë kërcime dhe tri asistime, ndërsa te vendasit u dallua Cesare Edëards me 30 pikë dhe 17 kërcime.
Pas kësaj ndeshjeje, GO+ Peja ka bilanc prej dhjetë fitoreve dhe 12 humbjeve, duke u renditur e katërta me 32 pikë, ndërsa Trepça vazhdon në vendin e parë me 19 fitore, tri humbje dhe 41 pikë të mbledhura.