Basketbollisti shqiptar me Cibonën - kampion të ri të Kroacisë

Basketboll

Basketbollisti shqiptar me Cibonën - kampion të ri të Kroacisë

Nga: K.Goca Më: 10 qershor 2026 Në ora: 23:06
Pamje nga ndeshja

Cibona e Zagrebit është kampion i ri i Kroacisë, pasi në mënyrë senzacionale mposhtën Zarën me rezultat 82:75 në ndeshjen e pestë vendimtare të serisë finale të SuperSport Premier Liga, duke i dhënë fund dominimit të rivalit me tri tituj kampioni radhazi.

Cibona arritën te titulli i 21-të kampion i Kroacisë, ndërsa Zara mbeti në gjashtë trofe.

Më efikasi te Cibona ishte basketbollsiti Justin Roberson me 17 pikë, ndërsa me pikë dyshifrore kontribuuan edhe Zhan Mark Shishko me 13 pikë, si dhe Renato Serdarushiq e shqiptari nga Kosova Jan Palokaj me nga 11 pikë.

Te Zara, më i dalluari ishte Vladimir Mihajlloviq me 27 pikë, ndërsa Lovro Mazalin shtoi 13 pikë dhe shtatë kërcime.

Zara udhëhoqi për 25 minuta, Cibona u rikthye

Basketbollistët e Zarës e nisën më mirë takimin dhe pas vetëm nëntë minutash lojë krijuan epërsi dyshifrore për herë të parë. Lovro Mazalin realizoi për 20:10, por Cibona reagoi shpejt dhe vetëm dy minuta më vonë iu afrua në minus dy pikë. Zara shkoi në pushim me epërsi 36:30, ndërsa me një seri prej 5:0 në fillim të çerekut të tretë arritën avantazhin maksimal prej 11 pikësh.

Cibona zhvilloi një çerek të tretë të shkëlqyer në gjuajtjet nga distanca. Justin Roberson dhe Renato Serdarushiq realizuan nga dy treshe, ndërsa Zhan Mark Shishko shtoi një tjetër për barazimin 55:55 pas 30 minutash lojë. Cibona kaluan në epërsi për herë të parë që nga rezultati fillestar 3:0, kur Serdarushiq realizoi gjuajtjet e lira për 57:55.

Ndeshja u vendos në fund dramatik

Pasoi një luftë e fortë pikë për pikë. Pesë minutat e fundit nisën me rezultat të barabartë 67:67, por më pas Kamaka Hepa, Jan Palokaj dhe Zhan Mark Shishko realizuan tri treshe radhazi, duke e çuar Cibonën në 76:69, epërsia më e madhe e saj në takim.

Zara kishte mundësi të rikthehej 103 sekonda para fundit, kur ishte pesë pikë në disavantazh dhe fitoi dy gjuajtje të lira plus posedimin e topit pas një faulli josportiv të Marjan Çakarun. Megjithatë, Boris Tishma i humbi të dy gjuajtjet e lira, ndërsa më pas Borna Kapusta nuk realizoi një treshe të rëndësishme.

Cibona nuk e shfrytëzoi sulmin pasues, ndërsa Zara u afrua në 73:76 vetëm 57 sekonda para fundit pas një depërtimi të Vladimir Mihajlloviqit. Megjithatë, vendasit nuk arritën më shumë dhe Cibona festoi titullin kampion si mysafire në palestrën ‘Kreshimir Çosiç”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat