Federata e Basketbollit të Kosovës ka miratuar me kusht aplikimin e Klubit të Basketbollit Rahoveci 029 për organizimin e Superkupës së Kosovës 2026.
Sipas vendimit të Bordit të FBK-së, kjo garë do të zhvillohet në Palestrën Sportive “Mizahir Isma” në Rahovec.
Klubi organizator është obliguar të përmbushë të gjitha kërkesat organizative, teknike dhe të sigurisë, si dhe obligimet financiare të përcaktuara nga FBK-ja.
Ndërkohë, mënyra e administrimit dhe destinimi i të hyrave nga shitja online e biletave do të përcaktohen përmes kontratës ndërmjet FBK-së dhe Rahoveci 029.
Bordi i FBK-së ka autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm që të lidhë kontratën me klubin për organizimin e Superkupës së Kosovës 2026.