Legjenda e basketbollit Shaquille O’Neal mendon se basketbolli evropian është “pak më i mirë” se liga NBA. Arsyeja, sipas tij, është se lojtarët në Euroligë luajnë me angazhim të plotë gjatë gjithë sezonit. Ai veçanërisht theksoi intensitetin dhe krenarinë që karakterizojnë ndeshjet evropiane.
Legjenda e NBA-së ka mbërritur në Lituani para ndeshjes së javës së dytë të Euroligës mes Zhalgiris Kaunas dhe kampionit aktual Olympiacos, e cila luhet të martën. O’Neal është bërë ambasador i kompanisë lituaneze NordVPN dhe do të jetë i pranishëm në ndeshjen e parë të sezonit në shtëpi për Zhalgirisin, në Zhalgirio Arena.
O’Neal tha se deri tani ka qenë vetëm në një ndeshje në Evropë dhe se në Kaunas pret një atmosferë po aq të zjarrtë.
“Mezi pres ndeshjen e tyre kundër kampionëve. E di që në ndeshje do të jenë 15 mijë njerëz. Tifozët evropianë e shijojnë vërtet lojën. Më thanë se sonte ndoshta mund të grabisja dikë, sepse të gjithë do të jenë atje”, tha O’Neal.
Më pas vazhdoi: “Kam qenë vetëm në një ndeshje në Evropë dhe ishte çmenduri.
Prandaj mezi pres të shoh se sa intensive do të jetë kjo. Mendoj se basketbolli evropian është pak më i mirë se NBA-ja, edhe pse e di se shumë njerëz do të më kritikojnë për këtë. Këtu të gjithë japin maksimumin gjatë të gjitha 38 ndeshjeve të sezonit të rregullt”.
“Në NBA kemi lojtarë që pushojnë ose nuk angazhohen maksimalisht deri në All-Star ose në play-off. Prandaj jam i sigurt se sonte në parket do të ketë edhe ndonjë përplasje.
Ata luajnë kundër kampionëve dhe kjo është ndeshja e tyre e parë në shtëpi. Me të vërtetë mezi pres ta shoh”.