Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka dënuar incidentin e raportuar pas ndeshjes ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit, të zhvilluar më 4 tetor në Prishtinë, ku gjyqtarët dyshohet se janë ofenduar, kërcënuar dhe sulmuar fizikisht gjatë largimit nga palestra.
Përmes një reagimi zyrtar, FBK ka bërë të ditur se rastin e ka adresuar në Këshillin për Sport dhe se ai do të trajtohet edhe nga organet disiplinore të federatës, në përputhje me rregulloret në fuqi.
Federata ka njoftuar se do të shqyrtojë raportimet e gjyqtarëve, reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës dhe provat e tjera relevante, përfshirë materialet eventuale filmike.
Përgjegjësia eventuale e personave të përfshirë, si dhe ajo e organizatorit në aspektin e sigurisë, do të përcaktohet mbi bazën e fakteve dhe provave.
“Dhuna nuk ka dhe nuk do të ketë vend në basketbollin e Kosovës”, thuhet në reagimin e FBK-së, e cila ka kërkuar bashkëpunim të plotë nga të gjitha palët për zbardhjen e rastit.
FBK ka theksuar se nuk do të paragjykojë përgjegjësinë para përfundimit të procedurave, por ka paralajmëruar masa nëse shkeljet vërtetohen.
Gjithashtu, federata ka bërë të ditur se do të shqyrtojë mundësitë për forcimin e masave të sigurisë për gjyqtarët dhe zyrtarët e ndeshjeve.
Në fund, FBK u ka uruar gjyqtarëve të përfshirë shërim të shpejtë dhe u ka shprehur mbështetjen institucionale.