Fundjavën e kaluar basketbolli kosovar është tronditur nga një ngjarje e rëndë e ndodhur pas përfundimit të ndeshjes mes Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit, ku tre gjyqtarë dhe delegati i ndeshjes kanë rënë pre e një sulmi brutal fizik.
Ngjarja ka ndodhur jashtë ambienteve të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ku një grup prej rreth 15 personash i kanë zënë pritë dhe i kanë goditur zyrtarët e ndeshjes teksa këta të fundit po shkonin drejt makinave të tyre.
Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, konfirmon se gjyqtarët janë goditur fizikisht dhe se rasti tashmë është duke u trajtuar nga Policia e Kosovës.
“Pas ndeshjes Sigal Prishtina ndaj KB Golden Eagle Ylli, të xhiros së fundit, të dielën, gjyqtarët na kanë lajmëruar se me të dalë nga palestra pas ndeshjes, ata janë sulmuar nga një grup prej 10-15 personave dhe se e kanë identifikuar njërin prej tyre, ndërsa të tjerët kanë thënë se ishin tifozë të klubit të Prishtinës, që janë sulmuar e goditur nga këta persona, kanë ikur dhe janë shpërndarë. Pastaj janë bërë bashkë edhe kanë shkuar në polici për të raportuar rastin. Së bashku, tre gjyqtarët edhe delegati i ndeshjes”, tha Dushku.
Situatën e bën me shqetësuese fakti që njëri nga sulmuesit është edhe anëtar i bordit të KB Prishtinës. Këtë për KosovaPress e konfirmon vetë Elvira Dushku.
“Po, është anëtar i bordit. Është cekur nga personat e sulmuar me emër dhe mbiemër, është identifikuar, dhe kemi kërkuar listën e anëtarëve të bordit të Prishtinës dhe ai është aty. Komisioni Disiplinor ka marrë të gjitha deklaratat, ka kërkuar nga policia pamje, dhe besoj se shumë shpejt do të del me vendim edhe ndaj personit dhe organizatës sportive për dështim të organizimit dhe sulm ndaj zyrtarëve”, theksoi Dushku.
Detaje nga rasti i dhunshëm për KosovaPress ka zbuluar edhe kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve të Basketbollit, Elldin Uglari.
“Gjyqtarët kanë pasur presion gjatë ndeshjes prej parketit, ajo është bërë normale. Por pas përfundimit të ndeshjes, një grup i caktuar, tifo-grup i Prishtinës, në mënyrë të organizuar, në momentin që gjyqtarët dhe delegati kanë dalë prej Pallatit të Rinisë, duke shkuar te vetura u kanë zënë pritën dhe i kanë sulmuar fizikisht. Kjo nuk është aspak e mirë dhe ka ndikuar emocionalisht te gjyqtarët”, tha Uglari.
Uglari ka paralajmëruar se gjyqtarët mund t’i bojkotojnë ndeshjet nëse atyre nuk iu garantohet siguria nga organet kompetente.
“Shpresoj që do të merren masa shumë të rënda, që ne të kemi siguri në fushë dhe jashtë saj. Kur ne nuk e ndjejmë veten të sigurt, nuk pranojmë të dalim në fushë. Prej kësaj jave kemi kërkuar nga Federata dhe Policia të na ofrojnë siguri maksimale. Kemi biseduar me kryetarin dhe sekretaren, janë shumë të shqetësuar. Në momentin që nuk ofrohen kushtet e sigurisë për gjyqtarët e basketbollit, ne nuk do të pranojmë të vazhdojmë të gjykojmë ndeshje”, tha Uglari.
Uglari tregon dënimin që mund t’i shqiptohet Sigal Prishtinës.
“Konform akteve normative, për raste të tilla mund të shkojë një deri në tetë ndeshje pa shikues, ose një deri në tetë ndeshje në terren neutral. Ndërsa për personin në fjalë, nëse është hera e parë atëherë një deri në tri vjet përjashtim, nëse është recidivist, atëherë përjetë. Aktet normative të federatës janë shumë të fuqishme dhe mbrojnë të gjithë aktorët”, bëri të ditur Dushku.
Duke e cilësuar këtë sulm si një goditje ndaj vetë thelbit të sportit, mesazhi drejtuar klubeve ishte i qartë: pa gjyqtarë nuk ka ndeshje, dhe pakënaqësitë sportive nuk mund të kthehen kurrë në pretekst për dhunë fizike.