Besëlidhja debuton me tri shifra, argëtohet kundër Partizanit

Basketboll

Besëlidhja debuton me tri shifra, argëtohet kundër Partizanit

Më: 13 tetor 2026 Në ora: 12:17
Besëlidhja

Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj vijon me takimet e javës së parë, ndërsa dje në parket zbritën kampionët e Besëlidhjes, të cilët nisën mbrojtjen e titullit në ndeshjen kundër Partizanit.

Ashtu sikurse edhe pritej, për lezhjanët gjithçka rezultoi e thjeshtë, me ekipin e Afrim Bilalit që arriti të fitonte me rezultatin treshifror 112-52 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

Diferenca të jashtëzakonshme mes dy ekipeve të ndërtuara për objektiva të ndryshme. Besëlidhja mori periodën e pare 24-14, ndërsa e thelloi avantazhin, duke fituar edhe të dytën 27-15, për të shkuar në pushimin e madh me epërsinë e përgjithshme 51-29.

Në pjesën e dytë dominimi ishte edhe më i madh, me lezhjanët që morën edhe dy periodat e radhës në shifra të thella, 31-12 dhe 30- 11, duke fiksuar fitoren finale me +60 pikë.

Një provë force grupi që në start për Besëlidhjen, me plot 65 pikë të ardhura nga pankina.

Me gjashtë lojtarë në dopioshifër pikësh, Andri Jareci ishte lojtari me efikasitetin më të lartë te Besëlidhja, protagonist me 12 pikë, 14 kërcime dhe 3 asistime. Për Partizanin, vetëm Fabio Paloka me 12 pikë, preku kuotë dyshifrore pikësh.

Në ndeshjet e tjera të javës së parë, Vllaznia mundi Elbasanin 97-80, Teuta fitoi në Vlorë kundër Flamurtarit në shifrat 96-82, ndërsa Kamza mposhti Tiranën 79-65. Java e parë do të kompletohet sot me derbin e juglindjes, Pogradeci-Skënderbeu, sfidë e programuar në orën 19:00 në sallën “Arefi Berberi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat