​Berisha: Investoni te basketbollistët vendorë, Bashkimi favorit për titull

Basketboll

​Berisha: Investoni te basketbollistët vendorë, Bashkimi favorit për titull

Më: 16 tetor 2026 Në ora: 09:13
Betim Berisha

Trajneri i basketbollit, Betim Berisha, ka vlerësuar hapësirën që po u jepet basketbollistëve vendorë në fillim të këtij edicioni të Superligës së Kosovës, duke theksuar se minutat dhe besimi i trajnerëve janë thelbësorë për zhvillimin e tyre dhe të ardhmen e basketbollit kosovar.

Në një analizë të tij për ecurinë e deritanishme të kampionatit, Berisha ka veçuar disa basketbollistë që po marrin më shumë përgjegjësi në skuadrat e tyre, përfshirë Jon Ismajlin te Bashkimi, Meriton Ismajlin te Vëllaznimi, Dardan Kapitin te Trepça dhe Musab Malën te Sigal Prishtina.

Sipas tij, këta lojtarë dëshmojnë se basketbollistët vendorë kanë potencial për të qenë kontribuues të rëndësishëm në ekipet e tyre, nëse u jepen minutat dhe besimi i nevojshëm.

Berisha ka folur edhe për pretendentët kryesorë në garën e këtij sezoni, duke e cilësuar Bashkimin si favorit për titull, ndërsa ka përgëzuar klubin prizrenas për stabilitetin, organizimin dhe investimet në infrastrukturë.

“Bashkimi, për mua, është favorit për këtë edicion. Po tregon stabilitet, ecuri të mirë dhe seriozitet në organizimin e klubit. Dua t’i përgëzoj veçanërisht për punën që po bëjnë në aspektin organizativ dhe të infrastrukturës, sepse këto janë elemente të rëndësishme për ndërtimin e një klubi të qëndrueshëm dhe konkurrues”, ka shkruar Berisha.

Sa i përket Trepçës, trajneri vlerëson se skuadra mitrovicase ka traditë, kapacitet dhe cilësi për të qenë konkurruese gjatë gjithë sezonit, ndërsa për Sigal Prishtinën thekson se mbetet të shihet nëse do të arrijë ta ruajë ritmin e mirë të fillimit të kampionatit.

Berisha ka shprehur gjithashtu dëshirën që tifozët e Sigal Prishtinës, Plisat, të rikthehen fuqishëm në tribuna, duke vlerësuar se mbështetja e tyre është pjesë e rëndësishme e identitetit të klubit kryeqytetas.

“Njëkohësisht, mendoj se është koha që tifozët Plisat të rikthehen fuqishëm në tribuna. Ata janë mushkëritë e ekipit dhe një pjesë e pandashme e identitetit të klubit. Prishtinës i mungon atmosfera e krijuar nga ta. Është koha që salla të mbushet sërish dhe t’i rikthehet hijeshia qytetit dhe ekipit!”, ka theksuar ai.

Megjithatë, mesazhi kryesor i trajnerit është i orientuar drejt zhvillimit afatgjatë të basketbollit në Kosovë. Berisha u ka bërë thirrje klubeve, drejtuesve dhe trajnerëve që të investojnë më shumë te basketbollistët vendorë, duke u dhënë atyre minuta, besim dhe përgjegjësi në parket.

Sipas tij, përtej rezultateve dhe trofeve, zhvillimi i lojtarëve vendorë duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të klubeve, në mënyrë që basketbolli kosovar të krijojë një bazë më të fortë dhe të sigurojë vazhdimësi në të ardhmen.

Berisha ka nënvizuar se talenti ekziston, por ai duhet të kultivohet përmes një sistemi të qëndrueshëm të zhvillimit të të rinjve dhe mundësive reale për të dëshmuar cilësitë në garat e nivelit të lartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat