Basketbollisti i Kosovës: Është kënaqësi të kthehesh te Barcelona

Basketboll

Basketbollisti i Kosovës: Është kënaqësi të kthehesh te Barcelona

Më: 16 shtator 2016 Në ora: 16:41
Doellman

Ylli i Kombëtares së Kosovës, Justin Doellman, i cili te enjten është bashkuar me skuadrën e tij Barcelona-n, sot nëpërmjet profilit të tij në rrjetin social “Twitter” e ka falënderuar Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) për mundësinë që ia ka dhënë kjo e fundit si dhe për profesionalizmin e treguar.

Doellman të enjten është liruar edhe zyrtarisht nga obligimet për Kombëtaren e Kosovës. Ai u është kthyer obligimeve të tij te Barcelona, që është duke u përgatitur për ndeshjet e Superkupës së Spanjës, të cilat zhvillohen fundjavën e ardhshme. Duke qenë se ndeshjet në fjalë janë tejet të rëndësishme për klubin e tij, e marr parasysh se do të duhet të punoj me trajner të ri në këtë edicion, FBK dhe shtabi teknik i Kombëtares e kanë parë të rrugës që ta miratojnë kërkesën e Barcelona-s për ta liruar Justin-in dhe për t’i mundësuar atij përgatitje sa më të mirë për edicionin e radhës.

“Është kënaqësi të kthehesh te Barcelona. Unë dua të falënderoj Federatën e Basketbollit të Kosovës për mundësinë e dhënë dhe për profesionalizimin e treguar. Gjitha të mirat”, ka shkruar Doellman në profilin e tij zyrtar në “Twitter”.

Ndërkaq drejtori i Kombëtares së Kosovës, Arben Fetahu ka thënë se për FBK-në përvoja me Doellman-in ka qenë e paçmueshme, sepse sipas tij kemi të bëjmë jo vetëm me njërin prej lojtarëve më të mirë dhe më të paguar në Evropë, por edhe me një personalitet të mrekullueshëm.

“Nga angazhimi i tij dhe qasja profesionale ndaj basketbollit, ka përfituar e tërë përfaqësuesja dhe strukturat udhëheqëse të FBK-së”, është shprehur Fetahu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat