Prishtina luan në Ferizaj kundër Trepçës

Basketboll

Prishtina luan në Ferizaj kundër Trepçës

Më: 21 dhjetor 2016 Në ora: 11:38
Pamje nga një ndeshje

Kryendeshja e xhiros së XIII në Superligën e Kosovës në basketboll do të zhvillohet të premten, ku Sigal Prishtina do të ballafaqohet me Trepçën.

Kjo ndeshje do të luhet në palestrën e sportit “Bill Klinton” në Ferizaj me fillim nga ora 19:00, për shkak të rinovimeve që janë duke u bërë në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Në përballjen e parë të zhvilluar në mes këtyre dy skuadrave në muajin nëntor në “Minatori” të Mitrovicës, fitore patën regjistruar bardhekaltrit me shifrat 74:59, raporton FBK.

Duke marr parasysh rivalitetin e madh që e kanë këto dy ekipe që nga paslufta, pritet që edhe të premten të dyja taboret të luftojnë për të bërë më mirën në parket dhe për të dëshmuar basketboll sa më cilësor.

Ndërkohë në kuadër të kësaj xhiroje të mërkurën Bashkimi në “Sezai Surroi” në Prizren e pret Rahovecin, ndeshje kjo që do të luhet duke filluar nga ora 19:00.

Në program të premten janë edhe dy takime të kësaj xhiroje, ku Kerasan Prishtina do të ballafaqohet me Golden Eagle Yllin (13:00) dhe Vllaznimi është nikoqire e Pejës (16:00).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat