Ylli ka opsion pjesëmarrjen në Ligën Ballkanike

Basketboll

Ylli ka opsion pjesëmarrjen në Ligën Ballkanike

Nga: K.Goca Më: 6 shkurt 2017 Në ora: 13:27
Atmosfera në njërën nga ndeshejt në Therandë

Ekipi Golden Eagle Ylli nga Theranda synon të organizohet gjithnjë e më mirë dhe njërën nga opsionet është duke shqyrtuar që të marrin pjesën edhe në Ligën Ballkanike në basketboll, ka thënë një zyrtar i lartë i klubit të Yllit në kushte anonime.  Ai flet për fitoren e fundit me rezultat të ngushtë 90:89 kundër Rahovecit, e cila u zhvillua në Gjakovë dhe sfidë e cila ka qenë e tensionit të lartë. “Ishte lojë shumë e tensionuar prej fillimit deri në fund edhe ne nuk ishim në ditën tonë më të mirë. Megjithatë treguam një moral të madh të fituesit që tregon që ekipi ynë edhe pse shumë lëvizje ka filluar të komponohet, kështu në javët e ardhshme presim ngritje. Synimet tona janë basketbolli i bukur, kthimi i atmosferës në qytet si ka qenë gjithmonë, pastaj rezultatet vijnë vetë. Me një fjalë përgatitja e ekipit për arenën ndërkombëtare, pse jo nëse na jepet rasti play-off-i, kampionati është i gjatë. Shumë deklarata u dhanë e intriga u bënë nga klubi fqinj gjatë gjithë javës, pat shumë tension dhe fatmirësisht përfundoi gjithçka pa ekses në fund”, tha ai.

Zyrtari i lartë i Yllit tha se tani janë të qetë: “Të qetë kemi qenë gjithmonë ndoshta pikërisht me atë qetësi arritën të marrim një fitore të vështirë, por shumë të rëndësishme për ecurinë e mëtutjeshme të kampionatit para lojës së ardhshme me Bashkimin!”. Ai tregon se asnjëherë nuk kanë qenë komplet: “Asnjëherë një ekip nuk është komplet por jemi munduar me buxhetin që e kemi të bëjmë një ekip kompakt të jemi rival me çdo ekip. Besoj që me kalimin e kohës ky ekip do të rritet me tepër dhe të hyjmë në një seri që na çon aty ku dëshirojmë”. Sipas tij nuk kanë pritur të jenë në katër vendet e para të Superligës së Kosovës: “Realisht katër ekipet e para kanë qenë pjesëmarrës në Ligën Ballkanike dhe me buxhet shumë më të  madh se ne. Ne e kemi bërë një ekip rivalizues që ta kthejmë atmosferën e basketbollit në qytet, gjë që e kemi arritur plus edhe jemi në garë për katër vendet e para,  asgjë s’ka përfunduar dhe as që e kemi plan të dorëzohemi deri në fund. Është klimë e mirë në qytet gjithashtu edhe në ekip. Me ndihmën e madhe të tifozëve tanë të flaket që i falënderoj dhe që vazhdimisht janë krahë i fortë i ekipit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat