Klubet e vlerësojnë lartë donacionin me topa të mini-basketit

Basketboll

Klubet e vlerësojnë lartë donacionin me topa të mini-basketit

Më: 8 shkurt 2017 Në ora: 14:30
Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së, i dorëzon donacionin e FIBA-s

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) të mërkurën e ka bërë shpërndarjen e topave Molten, madhësia 5 (mini-basket topa) për klubet e Ligës U-12. Topat janë donacion i FIBA-s për FBK-në.

Klubet që kanë përfituar nga ky donacion, janë ato të Ligës U-12: Vushtrria Basket, Kerasan Prishtina, Alba Basket, Rahoveci, M Junior Prishtina, Peja DT, Vëllaznimi, Kalaja, New Basket dhe Istogu. Secili klub ka përfituar nga ky donacion nga 36 topa.

Përfaqësuesit e ekipeve këtë donacion të FIBA-s e kanë vlerësuar si shumë të mirëseardhur. Arianit Morina, trajner i Vushtrria Basket, tha: “E falënderojmë FIBA-n dhe FBK-në për këtë mbështetje, e cila në dukje duket simbolike, por kjo për ne do të thotë shumë, pasi që topat janë pikërisht për fëmijët të cilët fillojnë t’i bëjnë hapat e parë të basketbollit. Ne si klub i Vushtrrisë kemi shumë fëmijë të kësaj gjenerate, të cilët kur do t’i shohin këta topa sigurisht se do të motivohen edhe më shumë për të luajtur basketboll”. Dak Turku, trajner i KB Peja DT, ka thënë: “Kjo ndihmesë e FIBA-s dhe e FBK-së është shumë e mirëseardhur për klubin dhe për fëmijët e Pejës. Jemi shumë të lumtur që na është dhënë rasti të përfitojmë nga ky donacion dhe tani kemi mundësi që me më shumë topa të zhvillojmë stërvitjet tona. E falënderojmë FIBA-n dhe FBK-në për ndihmën e vazhdueshme për kategoritë e reja që po e bëjnë në mënyra të ndryshme”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat