Penti Prishtina fitoi Kupën e Kosovës

Basketboll

Penti Prishtina fitoi Kupën e Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 19 shkurt 2017 Në ora: 19:47
Penti Prishtina

 

Penti Prishtina përqafon Kupën e Republikës së Kosovës në basketboll në konkurrencën e femrave, ndërsa te Penza e Pejës zhgënjim i madh. Në një ndeshje me rivalitet të madh dhe të paqartë deri më fund, Prishtina tregoi fuqinë e saj dhe e mposhti me rezultat 81:77 (20:16, 21:17, 18:24, 22:20) Penzën. Vashat pejane u përpoqën deri në fund, por dot që ta përmbysin epërsinë e rivales. Trajneri i Penti Prishtinës, Fidan Shatri, është ballëlart për trofeun e parë në edicionin e sivjetshëm dhe paralajmëron se edhe titulli do të jetë në vitrinat e tyre. Në çerekun e parë basketbollistet dhuruan lojë shumë të fortë. Në minutën e 10-të, Prishtina ishte në epërsi me 4 pikë dallim (20:16), ndërsa në minutat vijues e thelluan edhe në tetë pikë (41:33) pikërisht në fund të çerekut të dytë.  Arbnore Perçuku e Zerina Shatri ishin dy protagoniste të pandalshme për pejanet.

Në çerekun e tretë, Penza merr frymë më shumë dhe e ngushton rezultatin në dy pikë (59:57). Irma Konjusha së bashku me Jeta Zekën ishin dy lojtaret më të shquara në petkun e Penzës, por jo edhe të thyejnë Prishtinën deri më fund.  Çereku i fundit solli emocione të pakufishme, çdo gabim ka qenë vështirë të përmirësohet, sepse qoftë njëra palë qoftë edhe tjetra përftonin, por prishtinaset ishin më të shkathëta dhe arritën të shënojnë fitore me rezultat 81:77.  Shatri është i lumtur për këtë triumf dhe sipas tij, Penti Prishtinën e sheh favoritë edhe për titull. Perçuku shënoi 23 pikë, e ndihmuar nga Zerina Shatri me 20 sosh e Gentiana Ismajli me 14 pikë, ndërsa Konjusha shënoi 25 pikë për Penzën, por krahë të fortë e ka pasur edhe Jeta Zekën me 17 sosh. Në anën tjetër, ajo që la përshtypje në këtë finale ka qenë edhe efikasiteti i basketbollisteve, që treguan shpirt të madh luftarak deri në fund.

Penza-Penti Prishtina 77:81

Penza: Konjusha 25, Emra, Bytyqi 11, I. Berisha 3, J. Zeka 17, Halitaj, Daci 13, Luci, Krasniqi 8, Z. Zeka, Ukaj, Medjani.

Penti Prishtina: Hasani 9, E. Shatri 6, Ismaili 14, Perquku 23, Z. Shatri 20, Pancalti, Martinaj, Nuhiu 5, Rushiti 4, Karavidaj, Rexhepi dhe Braha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat