“Snajperi”, 100 pikë në një ndeshje, i ‘mërdhiu’ basketbollistet shqiptare!

Basketboll

“Snajperi”, 100 pikë në një ndeshje, i ‘mërdhiu’ basketbollistet shqiptare!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 23 shkurt 2017 Në ora: 12:07
Igena Qypi

Rekordi i Elektra Zykajt mbetet nën hijen e basketbollistes Igena Qypit. Ditë më parë Elektra realizoi 79 pikë në fitoren e kampiones në fuqi Flamurtarit të Vlorës, me rezultat 121:74 ndaj Apollonisë nga Fieri, por Qypi e thyen rekordin shqiptar, duke realizuar 100 pikë për KB ‘Goga Basket’ nga Durrësi e cila e gjunjëzoi me rezultat 133:25 Kamzës.  Qypi apo siç e thërrasin ‘snajperi’ ka thyer edhe rekordin e Elona Merkajt me 86 pikë. Qypi që luan në pozitën 2, anëtare e kombëtares së Shqipërisë, është krenare për 100 pikëshin e saj që realizoi kundër Kamzës dhe beson e shpreson se do ta fitojnë edhe titullin në Kampionatin Shqiptar. 27-vjeçarja tregon për gazetën kombëtare “Bota sot” se si ndjehet që ka thyer rekordin që nuk e ka bërë askush deri më tash në gjininë e saj të bukur.    

“Bota sot”: Igena, si ndjeheni që shënuat 100 pikë në një ndeshje dhe futeni në historinë e basketbollit shqiptar?

Igena Qypi: E emocionuar pa dyshim që tani kam epitetin Legjenda e Basketbollit Shqiptar me 100 pikë të shënuara si askush tjetër më parë.

“Bota sot”: A lidhe një inat që shënuat aq shumë pikë me basketbollisten e Flamurtarit të Vlorës, Elektra Zykaj, e cila realizoi 79 pikë ditë më parë?

Igena Qypi: Absolutisht jo. Rekordi i mëparshëm ka qenë i Elona Merkajt me 86 pikë dhe ky rekord i imi ishte falë realizimeve të mia në gati 100 për qind dhe pa dyshim ndihmës së skuadrës ku gjej rastin t’i falënderoj pa masë.

“Bota sot”: A keni pritur se do t’i realizoni 100 pikë në një ndeshje gjatë karrierës suaj ose i bie për një minutë mesatarja 2.5 pikë?

Igena Qypi: Ka qenë një dëshirë por jo synim, dje ka qenë një ndeshje relativisht e lehtë, pasi të jemi koshient një sasi kaq e madhe pikësh nuk mund të bëhen në një ndeshje me rivalitet.

“Bota sot”: “Goga Basket” synon titullin, por cilën ekip e konsideroni si rivale kryesore?

Igena Qypi: Patjetër që po, jemi duke punuar fortë për të arritur tek titulli kampion. Sigurisht që Tirana dhe Flamurtari janë rivalet direkte deri diku edhe Shkodra, por edhe pse në pozitën e dyte në renditje për momentin edhe rezultatet që kemi arritur në ndeshje janë shumë premtuese.

“Bota sot”: A besoni se ky edicion është i KB “Goga Basket”?

Igena Qypi: Besoj dhe shpresoj që po, kemi një grup lojtaresh si shqiptare si dhe të huaja që kemi treguar nivel në këtë edicion. Sigurisht mbështetja e madhe e klubit dhe puna e palodhur e trajnerit bëjnë që çdo gjë të shkoj në rrugën e duhur.

“Bota sot”: Sa jeni e kënaqur me kushtet, faktikisht çfarë i mungon “Goga Basket”?

Igena Qypi: Mjaft e kënaqur. Aktualisht është duke u ndërtuar pallati i sportit “Goga Basket”, një nder palestrat sportive me moderne në Shqipëri që do të bëj të mundur ngritjen e një akademie zinxhir të ekipeve. Kështu që nuk do mungojë asgjë tjetër dhe do ta vazhdojmë rrugën tonë drejt sukseseve.

“Bota sot”: Rekordmene!

Igena Qypi: Për sa i përket rekordeve, ky nuk është i pari, sepse në eliminatoret e europianit në ndeshje me Malin e Zi unë kam shënuar 23 pikë, ku se ka bërë asnjë tjetër dhe jam e para në renditjen e ekipit për pikë të shënuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat