Olta Rrapaj si supermene, shkruan historinë me 111 pikë!

Basketboll

Olta Rrapaj si supermene, shkruan historinë me 111 pikë!

Nga: Kemajl Goca Më: 6 mars 2017 Në ora: 19:09
Olta Rrapaj mes basketbollisteve

Për një periudhë të shkurtër u thyen tri rekorde në basketbollin e Shqipërisë në konkurrencën e femrave. Pas basketbollistes Elektra Zykaj (Flamurtari) që shënoi 79 pikë në një ndeshje, pastaj Igena Qypi te KB Goga Basket me 100 pikë, këtyre dyja ia kalon bukuroshja tjetër shqiptare, Olta Rrapaj, anëtare e kampiones në fuqi Flamurtarit nga Vlora.  Rrapaj heshti të gjithë me 111 pikë të saja, apo si supermene, duke shkruar historinë e basketbollit shqiptar. Ajo realizoi 111 pikë për 26 minuta në fitoren në udhëtim me rezultat bindës 143:90 ndaj Kamza Basket. 28-vjeçarja nga Vlora është krenare për këtë rekord dhe shpreh bindjen se vështirë do të ketë ndokush ta thyen këtë rekord. Para Elektrës e Igenës një rekord e kishte edhe Elona Merkaj kur kishte realizuar 86 pikë. Rrapaj luan në pozitën e anësores, ka 15 vjet që është në petkun e Flamurtarit, krahas si basketbolliste është edhe infermiere e vyeshme.  Ajo beson se me ekipin e saj do të mbrojnë titullin e kampiones, duke e pasur parasysh edhe kapacitetin e basketbollisteve që ka. Misioni i saj është që në çdo ndeshje të shënojë sa më shumë pikë edhe pse sipas asaj, më tepër kanë rëndësi fitoret e trofetë, se sa kush shënon me shumë pikë. Ajo në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot” tregon se ka rritje apo jo të cilësisë së basketbollit shqiptar, a më shumë paguhet si sportiste apo infermiere.

“Bota sot”: Olta, brenda pak kohe u thyen tri rekorde rresht. Elektra shënoi 79 pikë, pastaj Igena Qypa 100, ndërsa Ju ia kaluat të gjithëve me 111 pikë. A lidhet më shumë inati me Elektrën e Igenën, apo ishte njëra nga ndeshjet më të mira në karrierën e tuaj?

Olta Rrapaj: Mendoj se të shënosh sa më shumë pikë nuk mund të jetë kurrsesi çështje inati, por një ëndërr që e ka çdo lojtar që luan basketboll dhe unë e ndiej veten me fat që arrita të shënoj kaq shumë pikë në një ndeshje, ndoshta ishte dita ime me fat.

“Bota sot”: Flamurtari është kampion në fuqi, a e ndjeni presioni nga Goga Basket, Vllaznia e Tirana në luftë për titull?

Olta Rrapaj: Si kampione në fuqi kemi luksin të mendojmë me qetësi për trofeun e radhës. Ky kampionat ka shumë rivalitet, sepse edhe dy ekipet e tjera Goga Basket dhe Tirana janë forcuar me blerje të shumta, gjithsesi eksperienca e Flamurtarit dhe numri i madh i trofeve që ka mbi supe e bën me komod dhe rrjedhimisht me të frikshëm në sytë e të tjerëve.

“Bota sot”:  A keni pritur se do të shënoni 111 pikë ndaj Kamzës, si ndodhi?

Olta Rrapaj: Askush nuk futet në fushe me një synim ekzakt për shifra por me synimin për të dhënë maksimumin në çdo drejtim. Në rastin konkret mund të them që nuk ishte vetëm merita ime, por në radhë të parë e trajnerit që besoj tek unë që nga minuta e parë dhe në radhë të dytë e vajzave të ekipit të cilat kur panë formën time të mirë bënë maksimumin duke me mbështetur dhe duke me dhënë kurajë.

“Bota sot”: Basketbolliste dhe infermiere, sa është e vështirë?

Olta Rrapaj: Për vete kushtet në të cilat ndodhet sporti në Shqipëri çdo lojtare është e detyruar që përveç basketbollit të ushtrojë dhe një profesion tjetër, kjo do të thotë më shumë sakrifica dhe përkushtim dhe shumë pak kohe për arkëtime të tjera. Gjithsesi janë dy profesione që nuk kanë aspak lidhje me njëri-tjetrin por që unë i dashuroj njësoj të dyja.

“Bota sot”: A ka rritje të nivelit të lojës në basketbollin femëror në Shqipëri?

Olta Rrapaj: Pa diskutim që ka rritje të nivelit sidomos teknik të basketbollit të femrave. Sot vajzat përdorin shumë mirë të dyja duart qoftë në driblim qoftë në gjuajtje, ndërkohë që vite me parë dora e majtë nuk përdorej pothuajse fare. Është rritur kërcyeshmëria dhe gjatësia mesatare. Dhe në nivelin taktik mendoj se ka ndryshime pozitive pasi vetë teknologjia mundëson që të shohësh shumë dhe të mësosh njëkohësisht.

 “Bota sot”: Pas këtij rekordi, çfarë synoni dhe a besoni se nuk ka kush ta thyejë më këtë super-rekord?

Olta Rrapaj: Synimi im kryesor është që të vazhdoj të rriti nivelin tim si lojtare. Rekordet janë bërë për t’u thyer, kështu që nuk do me vinte keq fare ngaqë dikush tjetër do të realizonte më shumë.

“Bota sot”: A më shumë paguheni si infermiere apo si basketbolliste?

Olta Rrapaj: Rroga nuk tregohet. E rëndësishme është që unë ndihem shumë mirë me këto dy profesione që ushtroj. Me kombëtaren e Shqipërisë nuk jam por pres të më thërrasin.

 “Bota sot”: A keni oferta edhe jashtë Shqipërisë? 

Olta Rrapaj: Mendoj se ofertat do të vërshojnë drejt meje pas këtij rekordi.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat