Çallaku: Përparësi e kemi terrenin ndaj maqedonëve

Basketboll

Çallaku: Përparësi e kemi terrenin ndaj maqedonëve

Nga: Kemajl Goca Më: 8 mars 2017 Në ora: 11:19
Arian Çallaku

Pritet atmosferë drithëruese në palestrën e sportit ‘Karagaçi’ në Pejë, ku sonte (19.00) do të ndeshen Peja dhe Kozuv nga Gjevgjelia e Maqedonisë, në ndeshjen e parë të çerekfinales së Ligës Ballkanike në basketboll. Pejanët kanë bërë të gjitha përgatitjet e mundshme dhe janë të mobilizuar vetëm për fitore. Basketbollisti i Pejës, Arian Çallaku, është optimist para sfidës së parë me Kozuv-in nga Gjevgjelia. Ai premton se do të japin maksimumin për të arritur fitoren, që do të jetë një lehtësim për takimin e kthimit në Gjevgjeli. “Jemi përgatitur mjaft për këtë lojë, duke e ditur edhe rëndësinë e saj .

Sa i përket ekipit të Kozuv-it nuk e njohim edhe shumë mirë por e kemi analizuar lojën e tyre shumë mirë dhe presim paraqitje sa më të mirë”, tha Çallaku. Ku është forca kryesore e Pejës dhe rreziku më i madh nga rivali? “Fondi i lojtarëve që kemi dhe po ashtu publiku ynë, mendoj se do të arrijmë fitore ndaj Kozuv-it. Sa i përket rivalit mendoj se ata janë ekip mjaft e mirë, por ne do të japim maksimumin për këtë ndeshje”, tha ai.  Si përparësi e sheh përparësinë e terrenit vendas? “Sigurisht që përparësi e madhe është terreni vendas po ashtu edhe shikuesit tanë ‘Shqiponjat’ janë një ndihmesë shumë e madhe për ne, jo vetëm në këtë ndeshje po në të gjitha ndeshjet tona”, thotë Çallaku. Fitorja me sa më shumë pikë iu jep një qetësi për sfidën e kthimit? “Po, sigurisht që fitorja me sa më shumë pikë na jep siguri më të lartë, por ne do të mundohem me dhënë maksimumin që të fitojmë duke e ditur edhe forcën e kundërshtarit, gjë që nuk është edhe shumë e lehtë”, thotë Çallaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat