Tjetër humbje, Golden State thyhet në Minnesota

Basketboll

Tjetër humbje, Golden State thyhet në Minnesota

Më: 11 mars 2017 Në ora: 17:23
NBA

Tronditet kryesimi i Golden State Warriors në Konferencën e Perëndimit. Curry me shokë pësuan humbjen e katërt në gjashtë ndeshjet e fundit, pasi u mposhtën 103-102 nga Minnesota Timberwolves, pas një sfide mjaft të ekuilibruar. Dueli u vendos nga dy goditje të lira të Andrew Wiggins, në 12 sekondat e fundit të lojës. Klay Thompson ishte autor i 30 pikëve, ndërsa me 26 pikët e realizuara, Curry krijoi idenë se sfida mund të përfundonte në favor të Warriors. Por, ylli i Golden State gaboi në goditjen finale, vetëm pesë sekonda përpara fundit të lojës, duke i dhuruar fitoren Minnesota.

Sukses i thellë për Houston Rockets në fushën e Chicago Bulls, me rezultatin 115-94, në një ndeshje të vendosur nga i zakonshmi James Harden, autor i 19 pikëve dhe 13 asistëve, ndërsa Ryan Anderson realizoi 21 pikë.

Surprizat nuk munguan edhe në Konferencën e Lindjes, ku Washington Wizards fituan 130-122 në kohën shtesë përballë Sacramento Kings. Përmbysja e kryeqytetasve u realizua falë paraqitjes së shkëlqyer të Bradley Beal, autor i 38 pikëve dhe 10 rikuperimeve nën tabelë dhe 25 pikëve e 12 asistëve të John Wall. Me suksesin ndaj Sacramentos, Wizards arritën të kalonin në renditje edhe Boston Celtics, që u thyen me rezultatin 119-99 nga Denver Nuggets. 23 pikët e Chandler dhe 21 nga Nikola Jokic i lejojnë Nuggets të qëndrojnë pranë zonës “play-off”.

Atlanta Hawks shkurtoi distancën në renditje me Toronto-n, pasi fitoi 105-99 përballë kanadezëve, me 28 pikët e DeMar DeRozan që nuk ishin të mjaftueshme për Raptors. Në duelet e tjera, Milwaukee Bucks kaloi 99-85 Indiana Pacers, Dallas Mavericks fituan 105-96 përballë Brooklyn Nets, ndërsa fitore regjistroi edhe Charlotte Hornets ndaj Orlando Magic me shifrat 121-81.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat