A do ta vazhdojë Dardan Berisha karrierën në Itali?

Basketboll

A do ta vazhdojë Dardan Berisha karrierën në Itali?

Nga: Kemajl Goca Më: 8 maj 2017 Në ora: 12:25
Dardan Berisha gjatë një ndeshje në Lega A

Një eksperiencë e mirë në ligën italiane. Është fjala për basketbollistin më të mirë që ka Kosova, Dardan Berisha. Basketbollisti me prejardhje nga Peja, anëtar i kombëtares së Kosovës, ka qenë prej më të mirëve në fanellën e ekipit italian,  JuveCaserta.  Të dielën që lamë pas përfundoi pjesa e rregullt e garave në elitën italiane, JuveCaserta zuri vendin e 13-të me 24 pikë të mbledhura. Në ndeshjen e fundit, JuveCaserta triumfoi me rezultat 77:70 kundër Sassarit. Në Intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, Berisha tregon se sa ishte i kënaqur me rezultatet e ekipit të tij, do të qëndrojë apo jo në JuveCaserta, ka oferta nga klubet tjera dhe çfarë thotë për kombëtaren e Kosovës.

“Bota sot”: Dardan, Caserta e përfundoi edicionin me fitore me rezultat 77:70 kundër Sassarit, kësisoj renditeni në vend të 13-të me 24 pikë të mbledhura. A jeni të kënaqur me këtë bilanc?  

Dardan Berisha: Jemi të kënaqur edhe pse me pak fat kishim mundur me qenë në play-off. Për një moment kemi luftuar edhe për mbijetesë, por qëllimit tonë ia kemi arritur dhe besoj që ka qenë sezon i mirë për klubin, personalisht për mu ishte periudhë e shkëlqyer me JuveCaserten.

“Bota sot”: Pas përfundimit të edicionit, do të vazhdoni me ekipin italian apo keni oferta nga vendet e ndryshme të Evropës?

Dardan Berisha: Tash është koha për pushime. Në fakt kam oferta të ndryshme, megjithatë njëherë është koha për pushim, më vonë do të vendosi për të ardhmen.

“Bota sot”:  Ka qenë përvojë e re në basketbollin italian, a mendoni se ka qenë me cilësi më të mirë e më i fortë se në Poloni?

Dardan Berisha: Po, Liga e Italisë është më e fortë se e Polonisë dhe për mendim tim ndër ligat më të fortat në Evropë. Gëzohem që kam qenë pjesë e saj, eksperiencë e re për mu, por shumë e mirë. Do ta shohim, a do ta vazhdoj karrierën ne Itali apo Ligë tjetër.

“Bota sot”: Paralajmëroni se po bëheni gati për kombëtaren e Kosovës, pra për aktivitetet që e presin. A mendoni se ka rritje të nivelit të lojës në kombëtare?

Dardan Berisha: Mendoj që neve na duhet tepër shumë punë dhe shumë eksperiencë me këto lloj garash, që fatkeqësisht nuk i kemi. Megjithatë, besoj se çdo vit do të jemi më të fortë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat