Greenberg e zbulon listën e gjerë të kombëtares së Kosovës

Basketboll

Greenberg e zbulon listën e gjerë të kombëtares së Kosovës

Më: 16 maj 2017 Në ora: 14:22
Pamje nga një ndeshje

Brad Greenberg, përzgjedhës i kombëtares së Kosovës, shpalli listën e basketbollistëve, për përgatitje në parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”. Krahas listës së lojtarëve, Greenberg në ditët në vazhdim pritet ta kompletoj edhe shtabin teknik, në të cilin do të llogaritë gjatë fazës përgatitore, por edhe asaj parakualifikuese.

Kosova në parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” do të bëjë gara në Grupin C së bashku me Estoninë dhe Maqedoninë, në ndeshjet që do t’i luaj prej 2 deri më 20 gusht 2017.

Ndërkaq përgatitjet e kombëtares së Kosovës do të fillojnë më 1 korrik, kurse deri në periudhën e fazës parakualifikuese Kosova do të luaj dy miqësore me Tunizinë në shtëpi, si dhe me Austrinë, Sllovakinë dhe Shqipërinë si mysafirë.

Duhet theksuar se për shkak të lëndimeve që i ka përjetuar gjatë këtij edicioni me Barcelona-n, amerikani Justin Doellman nuk pritet të bashkohet me Përfaqësuesen e Kosovës në fazën e parakualifikimeve evropiane.

 “Ashtu siç kam thënë në grumbullimin e parë i kam ftuar një grup më të madh të lojtarëve, si dhe disa basketbollistë të rinj në mënyrë që të fitojnë përvojë. Ka edhe prej atyre lojtarëve të cilët vitin e kaluar nuk ishin pjesë e Përfaqësueses, por që sivjet kanë shprehur dëshirë ta bëjnë një gjë të tillë dhe ne i kemi ftuar. Përgatitjet do t’i fillojmë më 1 korrik, ndërsa lista e gjerë pritet të ngushtohet pas dhjetë ditëve të para, pra para se të fillojnë ndeshjet miqësore brenda dhe jashtë vendit. Ndërkaq unë besoj se 12 lojtarët që do të luajnë për Përfaqësuesen e Kosovës në këtë fazë parakualifikuese do të jenë ata që do ta vlerësojnë shumë fanellën e kësaj skuadre dhe ata që në muajin korrik dhe gusht do të mendojnë vetëm për punën në përfaqësuese”, tha Greenberg.

Emërorja e kombëtares së Kosovës:

Jaren Sina, Leonard Mekaj, Dardan Berisha, Scott Bamforth, Erhon Kastrati, Arian Qallaku, Arti Hajdari, Mirza Ahmetbashiç, Granit Rugova, Drilon Hajrizi, Samir Zekiqi, Alban Veseli, Justin Doellman, Shawn Jones, Gazmend Sinani, Fisnik Rugova, Lis Shoshi, Edmond Azemi, Beq Kovaqi, Urim Zenelaj e Ergin Grosha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat