James premton se do t'ia prishin festën Goldenit

Basketboll

James premton se do t'ia prishin festën Goldenit

Më: 12 qershor 2017 Në ora: 12:08
LeBron James në aksion

Mëngjesin e nesërm do të luhet finalja e pestë e play off-it në NBA mes Golden State dhe Cleveland. Për Cavaliers një tjetër ndeshje delikate, pasi u duhet fitorja për të mbajtur të gjalla shpresat për titullin kampion. Golden State Warriors udhëheq 3-1 setinë e finaleve, është një fitore larg titullit dhe sfidën e radhës do ta luajë para publikut të tij, në “Oracle Arena”. Një biletë në radhën e parë për këtë ndeshje kushton 45 mijë dollar dhe vendasit janë gati për festë, por kampionët në fuqi të Cleveland synojnë të bëjnë një tjetër ndeshje epike si ajo e fundit. I bindur për këtë gjë është LeBron James, që është gati të tregojë edhe një herë forcën e tij dhe të skuadrës së Cavaliers.
“Presioni më i madh është tek ata dhe jo tek ne. Ne jemi të përqendruar tek kjo ndeshje dhe jo tek titulli. Në ndeshjet e para ishim tepër “xhentil” me rivalët dhe ata përfituan nga tolerimi ynë. Kur vendosëm të luajmë një lojë më agresive dhe më të ashpër arritëm të tregojmë forcën tonë. Duhet të tregojmë sërish forcën tolnë fizike nën tabelë dhe në mbrojtje, për të vënë në krizë skuadrën e Warriors. Ata janë përgatitur për festë, por ne do t’ua prishim atë në rast se luajmë ashtu si në takimin e fundit. Nuk ka rëndësi fusha se ku luajmë, ne mund t’ia dalim mbanë”, deklaroi LeBron James, lojtari lider i Cleveland Cavaliers.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat