Dushku e Islami në programin e ri të FIBA-s

Basketboll

Dushku e Islami në programin e ri të FIBA-s

Më: 17 korrik 2017 Në ora: 13:21
Pamje nga pjesëmarrësit

Ushtruesja e detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku dhe zyrtari i Financave, Ard Islami, prej 8 deri më 15 korrik 2017 kanë qëndruar në Newcastle të Britanisë së Madhe, si pjesëmarrës në programin e ri të FIBA-s, TIME-OUT.

Pjesëmarrësit në programin TIME-OUT të FIBA-s këtë javë e kanë filluar modulin e parë të tyre në Northumbria University në Newcastle të Britanisë së Madhe.

Grupi i përbërë nga 80 ish-basketbollistë/basketbolliste (40 femra dhe 40 meshkuj) nga e gjithë Evropa kanë qenë të vendosur në qytetin verior të Britanisë, si pjesë e programit të parë të FIBA-s, të këtij lloji, i cili është duke u realizuar në bashkëpunim me Erasmus +, një iniciativë e Bashkimit Evropian.

Grupi ka punuar në Shkollën e Biznesit të Northumbria University, e cila do të ofrojë kurse të jashtëzakonshme të lidershipit dhe menaxhmentit për pjesëmarrësit e TIME-OUT, duke i ndihmuar ata në periudhën e pas përfundimit të karrierës, pra nga sportisti në punësimin në fusha të tjera brenda asaj të basketbollit.

Si pjesë e punëtorive në Newcastle, pjesëmarrësit e TIME-OUT, e kanë vizituar klubin e ragbitë, Falcons. Ky takim ka shërbyer për dy qëllime, së pari duke u takuar me menaxhmentin e klubit Falcons, si dhe më pas edhe për ta provuar këtë lojë mjaft të famshme në këtë pjesë të Britanisë së Madhe. 

Pas vizitës në klubin e ragbitë Falcons, ka pasuar vizita në ekipin e Newcastle United, i cili këtë edicion do të luaj në Ligën Premiere, pas një viti të kaluar në një rang më poshtë.

Në shtëpinë e Newcastle United, pjesëmarrësit e këtij programi krahas dëgjimit të historisë së klubit, më pas janë pritur në një darkë solemne nga krerët e kësaj skuadre, por edhe nga ata të FIBA Evropës, në kryer me drejtorin ekzekutiv, Kamil Novak.

Për tetë ditë sa ka zgjatur punëtoria e parë e këtij programi pjesëmarrësit kanë qenë aktiv në ligjëratat e organizuara në Northumbria University enkas vetëm për ta, të cilat temë kryesore e kanë pasur lidershipin dhe menaxhmentin. Ligjëruesë gjatë kësaj jave kanë qenë profesorë me emra të mëdhenj në këto fusha në Evropë e më gjerë.

“Kjo do të jetë një eksperiencë shumë e mirëseardhur së pari për Federatën, më pas edhe për mua, sepse nëpërmjet këtij programi të FIBA-s, ku pritet të përfitojmë unë dhe Ard Islami, më pas do t’u vije radha të tjerëve. E them këtë, sepse besoj se njohuritë që i kemi fituar, dhe ato që pritet ti fitojmë në program ne do t’i përdorim në punën tonë të përditshme që e bëjmë në federatë dhe në të njëjtën kohë do të mundohemi maksimalisht që edhe pjesa tjetër e stafit të zyrës të përfitoj në mënyrë indirekte nga ky program. Mendoj se ky program përveç për federatën do të ketë impakt të madh në jetën time dhe të Ard Islamit, sepse njohuritë që pritet t’i marrim në këtë program do të jenë diçka që do të lënë shenjë për gjithë jetën. Unë jam shumë e lumtur që më është dhënë rasti të jem pjesë e këtij programi, që për herë të parë implementohet nga FIBA”, ka thënë Elvira Dushku, u.d. Sekretare e Përgjithshme e FBK-së.

Duhet theksuar se ky projekt është unik për FIBA-n, sepse ka në shënjestër lojtarët/lojtaret që janë pensionuar së fundi nga basketbolli dhe të cilët tani dëshirojnë të vazhdojnë karrierën e tyre në sport jashtë fushës.

Në mesin e 80 emrave pjesëmarrës të programit ka dhe kampion olimpik, evropian dhe në nivel të klubeve. Ndër emrat që spikasin janë Bostjan Nachbar, Ann Wauters, Jiri Welsch, Maria Stepanova dhe Nevriye Yilmaz.

TIME-OUT është një projekt, i cili fokusohet në integrimin e lojtarëve që e kanë përfunduar karrierën aktive dhe tani duhet të futen në tregun e punës, duke treguar kështu rëndësinë e të menduarit në atë se çfarë i pret këtë njerëz në jetën që vjen pas sportit.

Ky program do të zgjas rreth 18 muaj dhe në fund pjesëmarrësit i kanë dy mundësi, të certifikohen apo edhe të marrin diplomë nga FIBA dhe bashkëpunëtorët e saj, ndër ta edhe Northumbria University.

Punëtoritë e radhës 80 pjesëmarrësit e programit do ti kenë në Ljubljanë të Sllovenisë, më pas në Budapest të Hungarisë, për të mbrojtur krejt në fund raportin e tyre në Mies të Zvicrës, në selinë qendrore të FIBA-s. Në ndërkohë pjesëmarrësit e TIME-OUT do të kenë për detyrë të kryejnë seminare online, hulumtime, raportime, derisa krejt në fund pritet të certifikohen apo edhe të diplomohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat