FIBA jep lajmin e madh për Morinën e Kastratin - Bota Sot
FIBA jep lajmin e madh për Morinën e Kastratin

Basketboll

FIBA jep lajmin e madh për Morinën e Kastratin

Më: 26 korrik 2017 Në ora: 16:42
Gëzim Morina dhe Erjon Kastrati

FIBA e ka informuar Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) se dy lojtarët, Gëzim Morina dhe Erjon Kastrati që deri në vitin e kaluar kanë qenë si basketbollistë të Sllovenisë nga 26 korriku 2017 mund të bashkohen me Përfaqësuesen e Kosovës. "Pas kontrollimeve në detaje të dokumentacionit nga zyra regjionale e FIBA-s në Evropë dhe me mbështetjen e Federatës së Basketbollit të Sllovenisë, FIBA e autorizon Erjon Kastrati dhe Gëzim Morina që të luajnë për kombëtaren e Kosovës pa kufizime në përputhje me Art.3-23 të Rregulloreve të Brendshme të FIBA-s. Po ashtu ju informojmë se lojtarët e lartpërmendur nuk do të mund të luajnë më për kombëtaren e Sllovenisë në ndonjë garë zyrtare të FIBA-s”, thuhet në letrën e dërguar nga Patrick Baumann, Sekretar Gjeneral i FIBA-s.

Ky pra është një lajm shumë i madh për FBK-në në prag të fillimit të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, fazë kjo e cila do të filloj më 2 dhe do të përfundoj më 19 gusht.

Kosova ndeshjen e parë si nikoqire do ta luaj kundër Maqedonisë më 2 gusht, kurse takimin e dytë si vendas do ta zhvilloj më 19 gusht kundër Estonisë. Ndeshjet do të luhen në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Kosova bën gara në Grupin C të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” së bashku me Estoninë dhe Maqedoninë, me ndeshjet që do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat