Kosova, gati për sfidat kualifikuese në Kampionatin Botëror

Basketboll

Kosova, gati për sfidat kualifikuese në Kampionatin Botëror

Më: 27 korrik 2017 Në ora: 19:14
Pamje nga konferenca

Kombëtarja e Kosovës në basketboll (meshkujt) pretendon se janë gati për kualifikimet për Kampionatin Botëror. FBK njofton se Banka TEB do të vazhdoj të mbështesë kombëtaren A të Kosovës. “Për ne është kënaqësi që banka TEB ka vendosur të na ndihmojë në këtë fazë të rëndësishme për federatën, pra në fazën e parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës. Jemi duke u mobilizuar maksimalisht që së pari ndeshja me Maqedoninë të na gjejë sa më të përgatitur në aspektin e organizimit, dhe më pas do të mendojmë për ndeshjen me Estoninë, ku pra të dyja këto ndeshje do t’i luajmë si nikoqir”, ka thënë Erolld Belegu, kryetar i FBK-së. Brad Greenberg, përzgjedhës i Kosovës, tha se janë përgatitur mirë.

“Jemi duke e bërë një punë shumë të mirë të gjithë së bashku. Lojtarët janë duke e dhënë më shumë se maksimumin në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje. Prej fillimit të fazës përgatitore punët kanë shkuar ashtu siç kemi planifikuar. Jam shumë i kënaqur me punën e lojtarëve, sepse në çdo seancë stërvitore e kanë angazhimin maksimal. Kjo na shtynë të besojmë se jemi në rrugën e duhur të komponimit sa më të mirë të ekipit në mënyrë që ndeshjet parakualifikuese të na gjejnë sa më të përgatitur.  Ndeshja me Maqedoninë po afrohet andaj i gjithë fokusi ynë është tani te ky takim. Besojmë se do të jemi të gatshëm për ti kënaqur të gjithë adhuruesit e basketbollit, të cilët do të jenë të mërkurën të pranishëm në palestër dhe ata që do të na përcjellin nëpërmjet televizorit”, tha Greenberg. Dardan Berisha, kapiten i kombëtares së Kosovës, tha se janë të përgatitur mjaft mirë.

“Në aspektin profesional jemi përgatitur mjaft mirë, besoj se ndeshjet miqësore që i kemi zhvilluar na kanë ndihmuar të shohim më për së afërmi formën tonë.  Prej të hënës jemi kthyer në Kosovë pas një mini-turneu që e kemi pasur, ku i kemi luajtur 5 ndeshje miqësore dhe tani jemi duke punuar intensivisht që të përgatitemi sa më mirë për fazën parakualifikuese, e në veçanti për ndeshjen me Maqedoninë.  Shpresoj dhe besoj shumë se do të kemi përkrahje maksimale nga tifozët, sepse ata janë lojtari ynë i gjashtë. Unë jam shumë optimist se me këtë përbërje që e kemi dhe me ndihmën e shikueseve së pari do ta mposhtim Maqedoninë dhe më pas Estoninë. Këtu e kam fjalën për ndeshjet si vendas, e më pas do të mendojmë edhe takimet si mysafirë”, thotë Berisha. Kombëtarja e Kosovës do të bëjë gara në Grupin C së bashku me Maqedoninë dhe Estoninë. Ndeshjen e parë, Kosova do ta luaj si nikoqire (me 2 gusht), kundër Maqedonisë, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë me fillim nga ora 20:15.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat