FIBA dënon Federatën e Basketbollit të Kosovës, shkak himni i Maqedonisë!

Basketboll

FIBA dënon Federatën e Basketbollit të Kosovës, shkak himni i Maqedonisë!

Nga: K.G. Më: 9 gusht 2017 Në ora: 11:12
Pamje nga ndeshje Kosovë-Maqedoni

Federata e basketbollit e Kosovës është dënuar me të holla nga asociacioni më i lartë i basketbollit, FIBA. Fatmirësisht shpëtuan lehtë, sepse do të kenë arkën më të lehtë për një mijë euro. E themi lehtë, se kanë mundur të sanksionohen edhe më shumë. Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është njoftuar zyrtarisht nga FIBA se është ndëshkuar me të holla për ndeshjen Kosovë-Maqedoni, e cila i ka takuar Grupit C të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës ‘Kina 2019’.

“Ju informojmë se FIBA e ka ndëshkuar Federatën tuaj nacionale për shkak të sjelljeve josportive të tifozëve të Kosovës- 'Gjatë intonimit të himnit të Maqedonisë, spektatorët kanë bërtitur dhe kanë kënduar aq sa himni nuk mund të dëgjohej më' në ndeshjen e 2 gushtit", thuhet në njoftimin e dërguar nga FIBA. Duhet theksuar se me Rregullore të garave të FIBA-s nuk tolerohen gjëra të tilla në asnjë ndeshje që organizohet në kuadër të këtij institucioni dhe për çdo veprim josportiv të individëve, grupeve, pasojnë ndëshkimet në të holla prej 1,000.00 euro e tutje, për të vazhduar me ndëshkime të tjera edhe më të rënda.

Andaj Federata e Basketbollit e Kosovës apelon tek tifozët e saj që në ndeshjet e radhës të mos bëjnë veprime të tilla, të cilat shkojnë në dëm të FBK-së dhe Përfaqësueses së Kosovës, jo vetëm në aspektin material, por edhe në atë sportiv. FBK falënderon të gjithë spektatorët që kanë qenë në ndeshjen Kosovë-Maqedoni, që edhe kanë qenë lojtari i gjashtë i Përfaqësueses sonë, në fitoren shumë të rëndësishme ndaj Përfaqësueses maqedonase”, thuhet nga FBK.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat