Shima: Me Holandën luajtëm të barabartë

Basketboll

Shima: Me Holandën luajtëm të barabartë

Më: 11 gusht 2017 Në ora: 16:18
Gerti Shima

Kombëtarja pësoi humbjen e dytë në paraeliminatoret e “Botërorit 2019”. Kuqezinjtë u thyhen në Holandë 91:77. Kapiteni i kuqezinjve, Gerti Shima u shpreh se përballë kishin një rival me shumë përvojë. “Ne luajtëm si të barabartë deri në fundin e ndeshjes.

Të jemi realist se kishim përballë një ekip shumë të fortë dhe me shumë eksperiencë. Por për mua, e rëndësishme është që ekipi tregoi rritje në lojë, shpresoj që edhe me Austrinë të bëjmë të njëjtën gjë. Janë ndeshje me nivel mjaft të lartë dhe duhet të jemi në 150 për qind gjithë kohën që mund t’i përballojmë këta kundërshtarë. Kualifikimi?

Ne po i luajmë të gjitha mundësitë e mbetura deri në momentin e fundit. Rëndësi ka të jemi gjithmonë në rritje në lojën tonë. Kualifikimi është mjaft i vështirë, gjithsesi ne po mundohemi të bëjmë më të mirën”, tha për gazetën Shima. Ndërkohë, klubi i basketbollit të Tiranës, i përfaqësuar me katër lojtarë në kombëtare, Shima, Hysenagolli, Strazimiri dhe Gjyzeli, ka përgëzuar skuadrën për paraqitjen e bërë të mërkurën.

“Urime djemve të ekipit kombëtar për një performancë shumë cilësore ndaj një skuadre si Holanda. Një arritje kjo duke parë cilësinë e skuadrës kundërshtare. Shumë shpesh pseudospecialistët harrojnë të vlerësojnë cilësinë e kundërshtarëve, të cilët kemi përballë.

KB Tirana dëshiron të vlerësojë të gjithë sportistët e kombëtares dhe stafin trajnues me në krye Antonis Kostandinides. Gjithashtu, vlerësimet tona shkojnë edhe për FSHB-në për mbështetjen e ekipeve kombëtare, por edhe për pjesëmarrjen me çdo grupmoshë në aktivitetet ndërkombëtare.

Sigurisht, basketbolli shqiptar po shikon vetëm nota pozitive dhe urojmë të gjithë bashkë që të vazhdojmë në këtë rrugëtim dhe rezultatet pozitive nuk do të vonojnë. “Faleminderit djemve, stafit dhe federatës për përkushtimin maksimal që po tregojnë për ngjyrat kuqezi”, thuhej në mesazhin e bardhebluve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat