Kosova në ankth

Basketboll

Kosova në ankth

Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 19:04
Një foto në federatë!

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) sot ka organizuar konferencë për media në zyre të saj, në prag të ndeshjeve të Dritares së Parë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës "Kina 2019".

Në konferencë të pranishëm ishin Elvira Dushku, u.d. Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, përzgjedhësi i Kosovës, Brad Greenberg dhe basketbollistët Lis Shoshi dhe Scott Bamforth. Përfaqësuesja e Kosovës bën gara në Grupin C së bashku me Lituaninë, Hungarinë dhe Poloninë. Ndeshjen e parë, Kosova do ta luaj si nikoqire, kundër Lituanisë.

Përfaqësuesja jonë prej 20 deri më 23 nëntor do të zhvilloj nga dy seanca stërvitore në ditë, derisa në ditën e ndeshjes, Kosova do ta mbaj një stërvitje në orët e paradites. Për shkak të lëndimeve, Kosovës në Dritaren e Parë do t’u mungojnë basketbollistët Erjon Kastrati dhe Shawn Jones.

Elvira Dushku, u.d. Sekretare e Përgjithshme e FBK-së:

“Sa i përket aspektit organizativ jemi në përfundim e sipër të përgatitjeve. Palestra pritet të jetë e gatshme ditën e enjte, kur edhe do të bëhet inspektimi nga zyrtarët e FIBA-s.

Gjithçka është gati sa i përket pritjes së Përfaqësueses së Lituanisë dhe zyrtarëve të FIBA-s.

Ndërkaq sa i përket Përfaqësueses sonë jemi munduar maksimalisht në aspektin organizativ t’u bëjmë kushte sa më të mira për punë dhe besoj se ia kemi arritur.

Ne po shohim entuziazëm në radhët e Përfaqësueses dhe kjo është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë tonë në këto gara.

Presim që palestra të jetë e stërmbushur të premten, sepse këta djem e meritojnë përkrahjen e pashoq”.

Brad Greenberg, përzgjedhës i Kosovës: “Fakti që Kosova është pjesë e 32 kombëtareve që do të bëjnë gara në kualifikime do të thotë shumë jo vetëm për basketbollin në Kosovë, por edhe për sportin dhe shtetin tuaj në përgjithësi.

Kur ktheheni dhe mendoni se para dy viteve nuk keni qenë të pranuar ndërkombëtarisht, ndërsa pas dy viteve po luani në kualifikime me shtete shumë të forta, besoj se kjo tregon më së miri për të arriturat në këtë sport. Verës kemi luajtur në parakualifikime dhe tani ja ku jemi në nëntor, duke luajtur në kualifikime.

Ne jemi pjesë  e një grupi shumë të vështirë. Do të luajmë ndeshjen e parë kundër Lituanisë në shtëpi dhe të gjithë e dimë se për çfarë skuadre bëhet fjalë. Pavarësisht mungesave në përbërjen e tyre, pasi do të luajnë pa lojtarët e NBA dhe të Euroleague, sërish kjo kombëtare në radhët e veta ka lojtarë mjaft të talentuar dhe me përvojë.

Ne na mbetet që të hyjmë në fushë dhe të luftojmë për të bërë më të mirën. As nuk na shkon mendja të mendojmë për humbje, sepse kështu nuk bëjnë sportistët e mëdhenj e ne jemi të tillë, pra të mëdhenj.

Në Dritaren e Parë nuk do të mund të llogarisim në lojtarin tonë kyç, Erjon Kastrati, i cili të hënën mbrëma gjatë ndeshjes me skuadrën e tij sllovene ka pësuar lëndim, kurse nuk mund të llogarisim as në Shawn Jones, i cili edhe pse e paralajmëroi ardhjen, ai ka nevojë për rikuperim më të gjatë për shkak të lëndimit që e ka përjetuar kohë më parë.

Por ne nuk kemi kohë për të vajtuar, do të japim maksimumin dhe me ndihmën e tifozëve besoj se do të bëjmë më të mirën në parket”.

Lis Shoshi, basketbollist i Përfaqësueses së Kosovës: “Të hënën kemi filluar me përgatitjet për dy ndeshjet e para të kualifikimeve, atmosfera është shumë e mirë, të gjithë jemi të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarëve, por ne do të luajmë fortë dhe do të bëjmë më të mirën në fushë. Nuk do të jetë aspak lehtë të përballemi me një superfuqi të basketbollit siç është Lituania, por ne shpresojmë se me ndihmën e shikuesve do t’ia dalim t’’u bëjmë ballë lituanëve. Jemi në formë të mirë, të gjithë basketbollistët kemi luajtur shumë ndeshje me ekipet tona, ndërsa tashmë e njohim mirë njëri-tjetrin dhe e tëra që na mbetet është të luajmë sa më mirë dhe t’i kënaqim të gjithë adhuruesit e basketbollit”.

Scott Bamforth, basketbollist i Përfaqësueses së Kosovës:

“Unë i jam bashkuar ekipit sot në stërvitje dhe premtoj se do të jap maksimumin, ashtu siç kam bërë edhe gjatë verës. Ne do të luajmë lojën tonë, ani pse do të ballafaqohemi me një skuadër siç është Lituania, ne do të hyjmë në fushë dhe do të luajmë fortë, sepse kjo është mundësia  e vetme për ne. Po ashtu pres se palestra do të jetë e stërmbushur dhe kështu me ndihmën e tifozëve do t’ia dalim që të luajmë sa më mirë që është e mundur”.

Duhet theksuar se Përfaqësuesja e Lituanisë do të arrij në Prishtinë më 23 nëntor, ndërsa do ta zhvilloj vetëm një seancë stërvitore dhe atë në ditën e ndeshjes në orët e paradites.

Ballafaqimi ndërmjet Kosovës dhe Lituanisë do të zhvillohet më 24 nëntor me fillim nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë dhe i takon Grupit C të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Një ditë pas kësaj ndeshje, Kosova do të udhëtoj për në Debrecen për t’u përballur me Hungarinë në ndeshjen e dytë kualifikuese. Ky takim do të luhet më 26 nëntor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat