Pejanet mburren që i shkaktuan humbje të thellë Prishtinës

Basketboll

Pejanet mburren që i shkaktuan humbje të thellë Prishtinës

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 15:58
KB Penza

Penza nga Peja p dëshmohet në konkurrencën e femrave në basketboll. Pejanet janë sikurse në qiellin e shtatë me fitoren bindëse me rezultat 67:47 kundër Pro Bet Prishtina. Kampionet në fuqi ishin më të mira dhe falë efikasitetit të Filloreta Krasniqit (20 pikë), Melita Lucit (19), Arbnore Perçukut (16) e Saranda Dacit (15) shënuan fitore të madhe, duke bërë një hap drejt titullit vjeshtor. “Ka qenë lojë e shkëlqyeshme dhe lojtaret zbatuan detyrat e saja. Kemi pasur mungesë të trajnerit Fabian Gjuka, i cili nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, por i dëshirojmë shërim sa më të shpejt dhe të kthehet në mesin tonë, që ta vazhdon aty ku e ka lënë ëndrrën e tij”, thotë Shqiponja Bytyqi, ndihmëstrajnere e Penzës. “Besoj se ëndrrën e tij do ta çojmë deri në fund dhe të mbrojmë titullin e kampiones.

Në përgjithësi i falënderoj vajzat për angazhim e lojë të mirë dhe për një fitore shumë domethënëse. Luajtën me zemër kundër Prishtinës, pra e dhanë maksimumin dhe kjo solli edhe fitoren. E veçanta ka qenë se kemi luajtur pa asnjë ndërrim, megjithatë vajzat dëshmuan shpirt luftarak dhe edhe vet rezultati e dëshmon. Kur dihet se tani kemi mungesën edhe të  lojtares me përvojë Valbona Bytyqi, por përkundër kësaj, vashat tona u dëshmuan superiore. Prandaj, na mbetet të punojnë më shumë dhe të vazhdojmë me fitore dhe të luftojmë për trofe”, tha Bytyqi. Pejanet tani janë edhe më të motivuara pas kësaj fitore dhe synojnë ta rrisin edhe nivelin e lojës. Sipas tyre, nuk kanë konkurrencë dhe shpresojnë që edhe kushtet do të përmirësohen në muajit e ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat