NBA/ Durant rikthen Warriors te fitorja, Utah nuk ndalet me Mitchell

Basketboll

NBA/ Durant rikthen Warriors te fitorja, Utah nuk ndalet me Mitchell

Më: 3 shkurt 2018 Në ora: 09:47
NBA

Pas humbjes befasuese në Utah, Golden State rikthehet te fitorja, teksa mposhti bindshëm Sacramenton me rezultatin 104-119. Warriors nuk e vunë në diskutim për asnjë moment fitoren, teksa arritën të dominojnë dhe të fitojnë në çdo fraksion të lojës.

Kevin Durant ishte i papërmbajtshëm me 33 pikë, 6 asiste dhe 4 rikuperime, ndërsa Stefan Curry u ndal në kuotën e 23 pikëve, 6 asisteve dhe 5 rikuperimeve.

Utah Jazz, regjistroi fitoren e 4-t radhazi dhe të dytën rresht, ku shënon 129 pikë. Fatin e kryesuesve të Konferencës së Perëndimit para 3 ditëve, këtë herë e pati Phoenix, që u dorëzua ndaj Jazz me rezultatin 97-129. Me 40 pikë, 6 asiste dhe 5 rikuperime, Mitchell u bë sërish protagonist në fitoren e Utah, që gjithsesi renditet vetëm në vendin e 10 të Konferencës së Perëndimit.

Të udhëhequr nga DeRozan, i cili realizoi 35 pikë, 3 asiste dhe 2 rikuperime, Toronto Raptors u rikthyen te fitorja. Kanadezët mposhtën me rezultatin 130-105 Portland Blazers, në një takim të cilin e dominuan veçanërisht në fraksionin e parë, ku vendosën diferencën prej 19 pikësh.

Edhe kryesuesit e Konferencës së Lindjes, Boston Celtics vijojnë me fitoret, teksa këtë herë kanë mposhtur me rezultatin 119-110 Atlantën. Rozier dhe Tatum ishin liderët e Celtics teksa të dy së bashku regjistruan 58 pikë, 5 asiste dhe 11 rikuperime.

Charlotte Hornets mposhti Indianën me rezultatin 133-126, në një nga sfidat më interesante të mbrëmjes. Vendasit, të frymëzuar nga forma e mrekullueshme e Walker, i cili realizoi plot 41 pikë, 9 asiste dhe 3 rikuperime, regjistruan fitoren e dytë në këtë fillim muaji, duke iu larguar edhe fundit të renditjes.

Në sfidat e tjera, Lakers regjistruan fitoren 99-102 ndaj Brooklyn, Philadepphia mposhti Miami Heat me rezultatin 103-97 dhe Milwaukee triumfoi ndaj New York Knicks me shifrat 92-90.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat