Mekaj: Ylli ka ekip të mirë, nuk e ndjejmë presionin e Rahovecit

Basketboll

Mekaj: Ylli ka ekip të mirë, nuk e ndjejmë presionin e Rahovecit

Nga: Kemajl Goca Më: 26 mars 2018 Në ora: 18:09
Mekaj

Golden Eagle Ylli nga Theranda shpreson se do ta ruajnë vendin e tretë në Superligën e Kosovës në basketboll, e cila siguron një pozitë më të mirë në garat e përfundimtares në luftë për titullin e kampionit. Therandasit shënuan fitore bindëse me rezultat 92:73 kundër Trepçës nga Mitrovica, në ndeshjen e javës së 24-të.

Basketbollisti i Yllit, Leonard Mekaj, tha se ishte një fitore e rëndësishme dhe që ua përforcon pozitën e tretë. “Ishte një fitore për pozitën e 3-të, ku u përgatitën shumë para ndeshjes. Ne që dy javë ushtrojmë me trajnerin Arben Krasniqi dhe stërvitjet kanë qenë intensive dhe parapërgatitore për play-off dhe me lojën me Trepçën u pa rezultati”, tha Mekaj për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Në javën e ardhshme në Prizren luhet derbi i skuadrave fqinje, Bashkimi-Golden Eagle Ylli, si e sheh këtë ndeshje, shumë të vështirë? “Natyrisht që do të jetë sfidë e vështirë, Bashkimi ka ekipin shumë të mirë e me lojtarë cilësorë, si të huaj ashtu edhe vendorë. Mirëpo, tani jemi shumë të përgatitur dhe dita ditës po bëhemi ekip edhe më e mirë po ashtu edhe ardhja e kamerunasit do të jetë një plus shumë i madh për ne sepse dihet që është një lojtar cilësor që ka luajtur në Krka, anëtar i Ligës së Parë të Sllovenisë”, përgjigjet basketbollisti.

Organizatori i lojës tha se do të përpiqen në katër javët e fundit që të arrijnë rezultate të favorshme dhe të ruajnë pozitën aktuale. “Ne ndajmë pikët me Rahovecin, tani do të shohim si rrjedhin gjërat për Rahovecin në këto katër ndeshjet e ardhshme”, theksoi ai. Ylli është në vend të tretë me 38 pikë, ka një më shumë se Rahoveci në pozitën e katërt. Mekaj tha se nuk e ndjejnë presionin e Rahovecit: “Natyrisht nuk e ndjejmë presionin sepse ne në play-off, si në pozitën e 4 si në pozitën e 3-të, do ta takojmë ose Bashkimin ose Prishtinën, kështu që ato janë dy ekipe me nivel të barabartë.

Play-off-it nuk i dihet sepse është mënyra e ndeshjeve më ndryshe jo si në Kupën e Kosovës vetëm një ndeshje dhe kështu që unë mendoj që play-off-i do të jetë shumë i nxehtë dhe kam një bindje shumë të mirë në ekipin tim, si dhe besoj shumë në ta sidomos pas ardhjes së Arben Krasniqit që po na ndihmon shumë dhe Wangmenes si lojtar në pozitën e 5-të”, thotë Mekaj. Sa jeni i kënaqur me kushtet dhe a e sheh Yllin në finale për titullin e kampionit?

“Me Yllin deri tani jam shumë i kënaqur, kryesia, lojtarët, trajnerët me kanë pritur shumë mirë. Play-off-i i ka edhe një muaj, kështu që ne para dy jave kemi filluar të përgatitemi maksimalisht si fizikisht edhe taktikisht dhe mendjen e kemi vetëm atje. Do të ishte fantastike që të bëhemi kampion, unë dhe ekipi do të japim gjithçka nga vetja për klubin dhe qytetin sepse e meritojnë”, ka thënë Mekaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat