Bashkimi përgatitet për festë, Prishtina për fitore

Basketboll

Bashkimi përgatitet për festë, Prishtina për fitore

Nga: Kemajl Goca Më: 22 maj 2018 Në ora: 19:36
Qëndrim Biraj e Granit Rugova

Pritet me kureshtje finalja e katërt e play-off-it të IP Superligës së Kosovës në basketboll (meshkujt), mes Bashkimit nga Prizreni dhe Sigal Prishtinës. Bashkimi është në epërsi me 2:1 në seri të fitoreve dhe i duhet edhe një fitore që të shpallen kampion. Ndërkaq, Sigal Prishtina është e vetëdijshme se vetëm fitorja i mban në garë për titull dhe për këtë janë të mobilizuar deri në pikën e fundit që të dalin ballëlart. Bashkimi beson e shpreson se nesër (21.00) do të kremtojnë titullin e kampionit, ndërsa Prishtina shpreson se do të barazohen në seri të fitoreve.

Kapiteni i Bashkimit, Qëndrim Biraj, tha se është atmosferë e jashtëzakonshme dhe të gjithë në pritje të kësaj sfide të madhe. “Besoj që jemi të përgatitur, pasi pësuam humbje në lojën e tretë dhe tani jemi fokusuar pikërisht te ato gabimet që na i sollën humbjen dhe do të mundohemi që mos t’i përsërisim. I kemi bërë të gjitha përgatitjet për ta festuar titullin, mirëpo së pari duhet ta fitojmë lojën dhe për këtë duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe pa emocione”, tha Biraj për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Ai tregon se ku janë përparësitë e skuadrës së tij ndaj kampionit në fuqi. “Në përgjithësi për një nuancë jemi më të mirë se kundërshtari në të gjitha aspektet, ndërsa ndër përparësitë më të mëdha është terreni vendas po ashtu e veçanta e këtij takimi do të jetë rikthimi i tifozerisë më të mirë në Kosovë, ‘Arpagjikët’, që për ne lojtarët do të jetë një motiv shumë i madh që të arrijmë së bashku ta fitojmë titullin”, shpreh optimizmin Biraj.  Bashkimi është i kompletuar për këtë sfidë dhe janë të bindur në fitore. Basketbollisti i Sigal Prishtinës, Granit Rugova, tha se shkojnë vetëm për fitore. Ai beson në cilësitë e skuadrës dhe beson se do të jetë mbrëmja e tyre. “Në Prizren do të shkojmë për fitore.

E arritëm fitoren në Prishtinë dhe besoj që do të arrijmë edhe atje. Shpresoj që edhe unë të jem në gjendje më të mirë, ta ndihmoj ekipin për me arritur këtë qëllim. Përndryshe ekipi është shumë mirë dhe mjaft i motivuar për këtë ndeshje”, tha Rugova.

A jeni komplet dhe ku i sheh përparësitë e skuadrës tuaj? “Besoj që eksperienca e klubit tonë do të jetë përparësi më e madhe”, tha ai.  Rugova është se do të arrijnë fitore: “Jam shumë optimistë që nëse arrijmë të fitojmë në Prizren do të fitojmë edhe në Prishtinë dhe do të marrim titullin”.

Kampionët e deritashëm:

1999/2000 Trepça

2000/2001 Trepça

2001/2002 Prishtina

2002/2003 Prishtina

2003/2004 Dukagjini

2004/2005 Mabetex

2005/2006 Prishtina

2006/2007 Prishtina

2007/2008 Prishtina

2008/2009 Prishtina

2009/2010 Prishtina

2010/2011 Prishtina

2011/2012 Trepça

2012/13  Peja

2013/14 Prishtina

2014/15 Prishtina

2015/16 Prishtina

2016/17 Prishtina

2017/18?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat