Karabeg: FBK-ja më dha besimin, unë premtimin, që u shpërblye me fitore - Bota Sot
Karabeg: FBK-ja më dha besimin, unë premtimin, që u shpërblye me fitore

Basketboll

Karabeg: FBK-ja më dha besimin, unë premtimin, që u shpërblye me fitore

Nga: Kemajl Goca Më: 2 gusht 2018 Në ora: 16:55
Karabeg feston me lojtarët e tij

Ibrahim Karabeg ka një mijë e një arsye që të mburret me suksesin e madh të djelmoshave të tij! Ai me kombëtaren e Kosovës U-18 (meshkujt) janë kampionë të Evropës për divizionin C në basketboll!  Karabeg ka qenë i përkushtuar si asnjëherë më parë, në radhë të parë me punën dhe disiplinën, pastaj ka rritur nivelin e lojës në kombëtaren U-18, e cila dha frytet e saja. Djelmoshat tanë zbatuan udhëzimet e përzgjedhësit Karabeg, dhanë maksimumin në secilën sfidë sidomos në finalen e madhe kur e mposhtën me rezultat 73:64 Qipron U-18.

Image

Një fitore që do të mbahet mend gjatë, për faktin se krahas organizimit shembullorë nga ana e Federatës së Basketbollit të Kosovës, që ishte shembull jo vetëm për federatat tona sportive, por edhe të rajonit e më gjerë, në anën tjetër, djelmoshat tanë u shquan me lojë cilësore në parket, duke kënaqur mbi 1500 shikues në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë. Edhe institucioni më i lartë botëror i basketbollit, FIBA, zyrtarët e të cilës ishin në Prishtinë, organizimin e Evropianit për U-18, e cilësuan me notë të lartë (dhjetëshe), ishin të fascinuar dhe e komplimentuan Federatën e Basketbollit të Kosovës.  Përzgjedhësi Karabeg me punën që bëri, me taktikën e lojës, pa dyshim se ishte e pakapshme për kundërshtarët.  Karabeg i buzëqesh fytyra nga suksesi, nuk i merr meritat për vete, por sipas tij, kjo është meritë e të gjithëve që ishin në fushë, asistentëve të tij dhe e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Përzgjedhësi tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, se asgjë nuk ka qenë e pritur: “Kurrgjë nuk ka qenë e pritur, pak kam pasur njohuri për kundërshtarët. Kemi hyrë me një optimizëm në çdo ndeshje, me besim të plotë si lojtarët, si trajneri, kemi punuar në at drejtim, kemi pasur një muaj e gjysmë përgatitje dhe brenda kësaj periudhe zhvilluam dy ndeshje me Shqipërinë që garoi në divizionin B. Federata ka pasur besimin te unë dhe unë premtimin që ua dhash, na u shpërblye me fitore, për të hyrë në Divizionin B”. Karabeg, strateg i lojës së basketbollit, nuk kënaqet me kaq, kërkon edhe më shumë. Sipas tij, tash i pret punë tjetër e madhe në Divizionin B.

Image

“Tash na pret një punë më e madhe, një përkushtim si për ne, si për federatën dhe kjo gjeneratë mjaft e mirë, ka nevojë për përkushtim e përkrahje. Kjo gjeneratë, a duhet me u kyq në Superligë, në turne të fortë, në tubime gjatë kampionatit etj. po ashtu mi përcjellë turnetë e forta jashtë Kosovës? Gjithsesi se po.  Në vitin e parë në divizionin B, qëllimi është me mbetur aty, në vitin 2019-2020, dalëngadalë me u munduar me organizuar Evropianin e Divizionit B në Kosovë”, tha Karabeg. Përzgjedhësi është krenar që ka një brez fenomenal të basketbollistëve dhe që duhet menduar më shumë për gjeneratat e reja.

Image

“Nga ky Evropian? Kemi mundur me nxjerrë shumë gjëra, nga organizimi deri te përfundimi i kampionatit. Kemi marrë një mësim se çka duhet me bërë, një shtytje me menduar më shumë për gjeneratat e reja. Ka qenë kampionat i duhur në momentin e duhur, me ngritur cilësinë e punës dhe klubet me menduar pak më shumë për gjeneratat e reja dhe me ecë përpara”, theksoi ai.

Image

Çfarë i duhet këtyre djelmoshave?  “I vyen përkrahje si nga shteti, DSK-ja, MKRS-ja, duhet të kenë më shumë kujdes. Ne kemi bërë një hap përpara,  për me mbërri hapin e dytë, duhet mbështetje institucionale. Nëse e kemi at mbështetje do të mbërrimë edhe më shumë”, thotë Karabeg.  Basketbollit është sport kolektiv dhe suksesi është i përbashkët. “Ky është sport kolektiv, të gjithë kanë meritë, që ka stafi im, federata, lojtarët, pra suksesi është kolektiv. Basketbolli është sport kolektiv dhe krejt jemi nisur bashkë dhe krejt së bashku e përfunduam në mënyrën më të mirë. Ju falënderoj juve, shikuesit që ishin në palestër, lojtarët e mi për angazhim, dhe asistentët e mi që kemi arritur këtë sukses”, shprehet Karabeg.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test