Rifati: Ponte Prizreni nuk ka objektiva për t’i prishur punë dikujt

Basketboll

Rifati: Ponte Prizreni nuk ka objektiva për t’i prishur punë dikujt

Nga: Kemajl Goca Më: 11 shtator 2018 Në ora: 14:43
Arbnor Rifati gjatë një këshillimi

Elita e basketbollit ka dy ekipe nga qyteti i lashtë, kampionin në fuqi Bashkimin dhe Ponte Prizrenin! KB Ponte Prizreni debuton në elitë dhe mund të jetë befasia më e këndshme e edicionit të ri, për faktin se kanë përforcuar radhët me disa nga basketbollistët vendas e disa nga shtetet e jashtme. Atmosfera është shumë e mirë në klubin që drejtohet nga trajneri Arbnor Rifati, ndryshe është djali i të ndjerit Tajari, që dha shumë për basketbollin si në kohën e viteve të 80-ta, në kohën e pavarësimit të sportit nga ai serbosllav dhe në periudhën e pasluftës.  Arbnor Rifati është entuziast dhe pretendon të arrijnë sa më lartë në klasifikimin e Superligës së Kosovës. Rifati punon me përkushtim në kërkim të një përbërje sa më kompakte. Synimin i tij është të ndërtojë një lojë sa më të përsosur dhe sfiduese për secilin rival!  

“Bota sot”: Si e sheh KB Ponte Prizrenin në elitë?

Arbnor Rifati: Ndihemi të privilegjuar, ngase dy edicione patëm një aventurë të gjatë që sot ta shohim ekipin tonë në Superligë.

“Bota sot”: A mendoni se shumëkujt do t'ia prishni punët dhe cilat janë synimet?

Arbnor Rifati: Thënë të drejtën, klubi i Ponte Prizrenit nga dita parë ka pasur një synim dhe vizion, ne kemi programin tonë që po mundohemi me realizuar e asnjëherë nuk kemi synime e objektiva as për t’i prishur punën dikujt as për t’i ndrequr.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur dhe cilat janë përforcimet?

Arbnor Rifati: Kemi ruajtur bazamentin e lojtarëve vendorë, kemi shtuar në ekip tre amerikan, si Elliott Cole, Jaquan Smith, Brandon Scott, pastaj Blend Matoshin nga Peja dhe së fundi Urim Zenelaj.

“Bota sot”: A do ta sfidoni Bashkimin, klub nga i njëjti qytet?

Arbnor Rifati: Ne me mundësi tona do t’i sfidojmë të gjitha ekipet, përjashtime nuk ka, të gjithë për ne janë të barabartë.

“Bota sot”: Çka i duhet më shumë Ponte Prizrenit?

Arbnor Rifati: Më shumë? Asgjë më shumë përveç një suksesi solid në vitin e parë,  nga kjo plejadë sigurisht se e ardhmja e basketbollit prizrenas dhe e Kosovës ka themele të shëndosha.

“Bota sot”: A mendoni se liga do të jetë më e fortë apo më e dobët, si e sheh si trajner, në bazë të përforcimeve të skuadrave?

Arbnor Rifati: Me duket se me hyrjen tonë basketbolli po merr frymë pozitive, ndiej keqardhje për Pejën, por sa po vërej shumë ekipe janë përforcuar dhe kjo mendoj të jetë progres.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat