Kosova e motivuar, do fitore ndaj Maqedonisë - Bota Sot
Kosova e motivuar, do fitore ndaj Maqedonisë

Basketboll

Kosova e motivuar, do fitore ndaj Maqedonisë

Nga: Kemajl Goca Më: 12 shtator 2018 Në ora: 19:31
Fisnik Rugova

Gjithçka është gati për ndeshjen Kosovë – Maqedoni.  Mbretëron interesim i madh nga ana e tifozëve për të parë sfidën mes Kosovës dhe Maqedonisë, ndeshja e parë e vlefshme për grupin B të parakualifikimeve për EuroBasket!  Nesër në orën 20.30 në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, pritet atmosferë e zjarrtë dhe lojë e fortë mes këtyre rivalëve. 

Basketbollistët e kombëtares së Kosovës janë të përgatitur në çdo aspekt dhe të mobilizuar për fitore ndaj maqedonasve. Maqedonia nuk është rival i panjohur, me të cilën u takuan dy herë në parakualifikimet për Kampionatin Botëror – “Kina 2019” dhe secila kishte nga një fitore. Me 2 gusht të vitit 2017, në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, Kosova ngadhënjeu me rezultat 72:68 kundër Maqedonisë, por në Shkup me 2 gusht të vitit 2017, maqedonët fituan me 87:74. 

Kosova kishte më shumë pikë dhe e pati siguruar kualifikimin më tutje, duke lënë pas maqedonët. Tani është një fazë tjetër kualifikuese dhe Kosova beson në fitore,  në radhë të parë pret edhe një përkrahje të madhe nga tifozët “Dardanët”. Basketbollisti me përvojë, Fisnik Rugova, beson e shpreson se do të arrijnë fitore. Ai tha se maqedonët i njohin mirë. “Presim fitore, pasi dihet rëndësia e lojës së parë, sidomos që tani luajmë si vendas dhe jemi të bashkuar, kështu që do të japim çdo gjë nga vetja për fitore. Ardhja e trajnerit (Damir Mulaomeroviq) na ka sjellë freski dhe jemi tejet të motivuar që të shënojmë fitore”, thotë Rugova për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Ditë me parë Kosova bëri të ditur emrat e basketbollistëve që do të luajnë kundër Maqedonisë, ku janë: Mirza Ahmetbashiç, Erjon Kastrati, Dardan Berisha, Leonard Mekaj, Valon Bunjaku, Scott Bamforth, Rron Ukaj, Ergin Grosha, Lis Shoshi, Fisnik Rugova, Alban Veseli dhe Gëzim Morina. A është Kosova më e fortë dhe nga vjen rreziku prej rivalit?

“Ne presim të shënojmë fitore në fushën tonë. Mendoj se favoritë këtu nuk ka, Maqedonia siç dihet janë përforcuar me lojtarë të huaj edhe do të luftojnë për fitore sikurse ne. Do jetë ndeshje e vështirë deri në fund”, ka thënë Rugova. Grupi B është i fortë për faktin se krahas Maqedonisë është edhe Rumania. Kosova synon të arrijë në vendin e parë që e dërgon më tej.  “Grupi është i fortë, nuk ka ekip të dobët dhe Rumania është një ekip shumë e fortë”, tha Rugova.

Lista e basketbollistëve Kosovës:

Mirza Ahmetbashiç, Erjon Kastrati, Dardan Berisha, Leonard Mekaj, Valon Bunjaku, Scott Bamforth, Rron Ukaj, Ergin Grosha, Lis Shoshi, Fisnik Rugova, Alban Veseli dhe Gëzim Morina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...