Turp për Federatën

Basketboll

Turp për Federatën

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 10:45
Toska

Ditën e shtunë ka startuar sezoni i ri i Kampionatit shqiptar të Basketbollit për femra, ku mes të tjerave ka rezervuar edhe përballjen e dy ekipeve të Tiranës me njëra-tjetrën, përballje e cila nuk ishte parë kurrë më parë. Nisur nga kjo, por jo vetëm, një nga figurat e shquara të basketbollit në vendin tonë, trajneri i Flamurtarit, Viron Toska, e ka cilësuar këtë Kampionat si njollë e turpit për Federatën. Në një prononcim për Telesport, Toska është shprehur se Klubi Tirana, nuk duhet të ishte në Kategorinë e parë, sipas së cilit, motra e trajneres Mirza Alibegaj, Edra Alibegaj, që punon në Federatë, ka influencuar në vendimin e Komitetit Drejtues.

“Kampionati filloi dje dhe unë në radhë të parë, u uroj suksese të gjithë ekipeve pjesëmarrëse, por sipas mendimit tim ky kampionat do të mbesë si njolla e turpit për Federatën Shqiptare të Basketbollit, sepse një skuadër apriori me vendim të një komiteti drejtues, i cili i influencuar nga Edra Alibegaj, e cila është motra e trajneres së ekipit të Tiranës dhe është në konflikt të hapur interesi, futi një ekip pa zhvilluar garën. Shpikën një formulë për të bërë një turne dhe ky turne nuk u zhvillua, sepse të gjitha skuadrat e bojkotuan”, tha Toska.

Me tone të ashpra, numri një i Flamurtarit ka ngritur akuza të drejtpërdrejta për sekretarin e Federatës, Korab Llazani, duke thënë se ai po përkrah në mënyrë të padrejtë ekipin e Alibegaj. Gjithashtu,Toska ka paralajmëruar se shumë shpejt do të bëj publike një nga abuzimet më të mëdha të bëra nga Llazani.

“Në radhë të dytë, këta anëtarë kryesie për mendimin tim, si mund të vijnë t’u kërkojnë vota këtyre shoqatave kur bëjnë gjeste të pahijshme dhe të pavend, megjithatë kalon një vit e gjysmë dhe vijnë prapë. Megjithatë, s’ma ha mendja që të kërkojnë vota, sepse nuk kanë fytyrë. E treta, është një kampionat që po del faktor sekretari i federatës, Korab Llazani i cili bën shumë abuzime me dokumentet që ka në federatë, duke përkrahur këtë ekip. Do të pres dhe pak dhe unë do të nxjerr një nga abuzimet kryesore që ka bërë ky person”, u shpreh Toska.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat