Prishtina zotohet për fitore kundër Cherkaski Mavpy-t

Basketboll

Prishtina zotohet për fitore kundër Cherkaski Mavpy-t

Nga: K. G. Më: 16 tetor 2018 Në ora: 16:10
Pamje nga konferenca

Z Mobile Prishtina është e gatshme për sfidën e parë në grupin E të FIBA Europe Cup në basketboll. Bardhekaltrit luajnë para shikuesve të vet kundër skuadrës ukrainase, Cherkaski Mavpy. Ndeshja do të zhvillohet nesër në orën 20.00 në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, ku pritet të jetë e mbushur me shikues, sidomos pritet që “Plisat” ta përkrahin fuqishëm skuadrën kryeqytetase. Në taborin e Prishtinës zotohen për fitore në hapje të grupit E. 

Z Mobile Prishtina është në grup me Bakken Bears nga Danimarka, BC Steaua nga Bukureshti dhe Cherkaski Mavpy nga Ukraina.  Trajneri i ri i Prishtinës, Damir Mulameroviq, së bashku me drejtorin Florian Miftarin dhe basketbollisti Dardan Berisha, janë shprehur optimistë para kësaj përballje, ndaj një rivalit me shumë të panjohura. “I bëjmë thirrje ‘Plisave’, i bëjmë thirrje të gjithë sportdashësve nga Prishtina që të vijnë në numër sa më të madh, në numër rekord për ta përkrahur klubin tonë, pasi që ne kemi nevojë për përkrahje, ku objektivi ynë ishte Europe Cup dhe ky do të mbetet”, ka thënë Miftari. Trajneri tha se janë përgatitur mjaft për sfidën me rivalin. “Kemi stërvitur që një javë dy herë në ditë dhe jemi përgatitur për këtë ndeshje sepse e dijmë kualitetin në këtë ligë, ndërsa sa i përket ekipit tim, unë besoj tek lojtarët e mi dhe në ekipin tim dhe shpresoj se do të jemi në një ditë të mirë nesër dhe natyrisht në një fitore të madhe”, tha Mulameroviq. Berisha premton maksimumin dhe për fitore, që do të ishte edhe një dhuratë për tifozët.

“E kemi pritur këtë moment që shumë kohë dhe jemi të përgatitur intensivisht për ndeshjen që do të luhet të mërkurën, dhe me trajnerin e ri kemi punuar shumë kemi stërvitur dy herë në ditë dhe taktika është e re dhe jemi të gatshëm për ta dhënë 100 përqindshin unë dhe i gjithë ekipi, pasi që jemi të kompletuar nuk kemi lëndime dhe gjithçka është në rregull. Kundërshtari është mjaft i fortë, janë shumë të fortë fizikisht dhe do te jetë një ndeshje shumë e rëndë për ne, por jemi të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje”, ka thënë Berisha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat