Qallaku: Do të tregojmë maksimumin kundër Prishtinës - Bota Sot
Qallaku: Do të tregojmë maksimumin kundër Prishtinës

Basketboll

Qallaku: Do të tregojmë maksimumin kundër Prishtinës

Nga: Kemajl Goca Më: 23 tetor 2018 Në ora: 19:21
Arian Qallaku

Rahoveci sundon në elitën e basketbollit të Kosovës. Klubi që të gjitha ndeshjet i zhvillon jashtë Rahovecit, në pesë javët e para ka lënë pa tekst të gjithë njohësit e kësaj loje, për faktin se ka realizuar pesë fitore rresht dhe së bashku me Z Mobile Prishtinën kanë arritur pikët maksimale.  Z Mobile Prishtina për shkak të koshshënimit udhëheq me 10 pikë, duke lënë pas po me aq pikë Rahovecin. Në fundjavë do të zhvillohet ballafaqimi i të pamposhturve në kryeqytet, mes Z Mobile Prishtinës dhe Rahovecit.

Basketbollisti i Rahovecit, Arian Qallaku, është i kënaqur me ecurinë e rezultateve dhe shpreson se do të vazhdojnë me këtë ritëm edhe në javët e ardhshme. Qyteti i Rahovecit jeton me sukseset e klubit dhe me shpresë se do të arrijnë të sjellin edhe ndonjë trofe në qytetin e tyre.  Rahoveci deri me tash ka mposhtur, si mysafirë me 101:85 Borean nga Peja, kurse si vendas e mundi me 81:63 kampionin në fuqi Bashkimin.

Në Therandë e ka mundur me rezultat 89:83 Golden Eagle Yllin, pastaj me një pikë dallim (89:88) e mundi Trepçën në Mitrovicë dhe së fundi në Gjakovë me 101:99 Ponte Prizrenin. Të gjitha këto rezultate janë si fryt i angazhimit të të gjithëve në klub. Në klub është një atmosferë jashtëzakonisht e mirë, një motiv shtesë pas këtyre fitoreve dhe të gjithë luajnë për një dhe një për të gjithë, me një synim që të jenë në pjesën më të lartë të tabelës së klasifikimit.   Qallaku tha se po përgatiten për derbin kundër Z Mobile Prishtina që të dalin me rezultat sa më të mirë.

“Bota sot”: Si e sheh Rahovecin në vazhdim të Kampionatit?

Arian Qallaku: Sigurisht se shpresojmë që të vazhdojmë me këtë ritëm. Jemi në një formë mjaft të mirë dhe do të mundohem të vazhdojmë me fitore tjera, që të arrijmë ambiciet tona.

“Bota sot”: Ku është forca e këtyre fitoreve?

Arian Qallaku: Forca e këtyre fitoreve sigurisht është puna që jemi duke e bërë po ashtu edhe atmosfera e mirë në klub ka bërë që të fitojmë të gjitha ndeshjet deri me tani.

“Bota sot”:  Çfarë e dallon nga ekipet tjera?

Arian Qallaku: Dallimi është se jemi komponuar mjaft mirë si dhe dëshira e madhe që kemi për fitore në çdo ndeshje.

Bota sot”: Rahoveci pa palestër, sa është vështirë gjithnjë si mysafirë?

Arian Qallaku: Po është mjaft e vështirë, por shpresoj që palestra jonë të përfundoj sa më shpejt dhe të luajmë edhe ne në shtëpinë tonë.

Bota sot”: Sfida e radhës me Z Mobile Prishtinën, ndeshje shumë e vështirë?

Arian Qallaku: Po sigurisht që ndeshja me Prishtinën do të jetë një ndeshje mjaft e fortë. Ne do të mundohemi të tregojmë lojën tonë dhe sigurisht që do të jetë një ndeshje mjaft e bukur edhe për tifozët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...