FIBA Evropa do të ndihmoj FBK-në

Basketboll

FIBA Evropa do të ndihmoj FBK-në

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 10:54
Ilustrim

FIBA tashmë e ka lansuar një program të ri për vajza nëpërmjet të cilit synon që të promovoj sa më shumë basketbollin në konkurrencën e femrave në Evropë.

Bordi i FIBA Evropës kohë më parë e ka miratuar një fond të ri me qëllim mbështetjen dhe masovizimin e basketbollit femëror, duke i tërhequr kështu vajzat e moshës 6 deri në 15 vjeç për të praktikuar basketbollin nëpërmjet kampanjës së ashtuquajtur "Her World, Her Rules" (Bota e Saj, Rregullat e Saj).

FIBA Evropa është duke punuar në partneritet me Federatat Nacionale nëpër gjithë Evropën për të implementuar këtë kampanjë. Investimi i përgjithshëm i këtij programi është 1 milion euro për dy vitet e ardhshme, duke përfshirë këtu edhe bashkëfinancimin me partnerë të tjerë të Federatave fituese të këtij projekti.

Komiteti i Menaxhimit të Projekteve të FIBA Evropës nga 45 Federata Nacionale ka përzgjedhur 25 projekte për vitin 2018, e në mesin e tyre është edhe projekti i Federatës së Basketbollit të Kosovës. 

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku ka bërë të ditur se tashmë FBK është duke punuar në përgatitjen e strategjisë për implementimin e këtij projekti.

“Që nga momenti kur FIBA Evropa na ka njoftuar se jemi fitues të këtij projekti, ne kemi filluar në përgatitjen e strategjisë për implementimin e këtij projekti. Së bashku me Këshillin Profesional në këtë fundjavë do të punojmë intensivisht dhe kështu do ta përmbyllim këtë fazë, në mënyrë që sa më shpejtë të fillojmë me implementimin e këtij projekti.

Ky projekt, ashtu si edhe projekti tjetër, YDF (Fondi për Zhvillim të Gjeneratave të Reja), ku i kemi të angazhuara vajzat U14 janë shumë të mirëseardhur për basketbollin femëror, sepse kështu jemi duke punuar me hapa të sigurt në ndërtimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për zhvillimin e basketbollit femëror, duke filluar nga gjeneratat e reja, e deri te senioret.

FBK është e përkushtuar maksimalisht në ngritjen e cilësisë në basketbollin femëror dhe mendoj se fitimi i projekteve të tilla, dhe implementimi i tyre janë shumë të nevojshme për basketbollin femëror”.

Nëpërmjet këtij projekti FBK synon të zhvilloj basketbollin ndër vajza në vendet rurale të Kosovës, apo edhe në qytetet ku nuk ka aktualisht ekipe të femrave të basketbollit.

Target i FBK-së në këtë projekt do të jenë vajzat e shkollave fillore, prindërit, arsimtarët e Edukatës Fizike, si dhe trajnerët e basketbollit.

Në kuadër të këtij projekti do të organizohen, kampe, turne, punëtori, klinika, në mënyrë që të arrihet edhe qëllimi i projektit, e që është masovizimi i basketbollit ndër vajza, por edhe krijimi i ekipeve të femrave në qytetet/fshatrat ku nuk ka basketboll të femrave, si dhe krejt në fund të arrihet që pas disa viteve edhe në konkurrencën e femrave të kemi liga prej kategorisë U12 e deri tek senioret.

Projekti është njëvjeçar, ndërsa FIBA Evropa do të ndihmoj FBK-në për ta implementuar këtë projekt me shumën prej 20,000.00 Euro, si dhe me 120 topa, ndërsa FBK pritet që këtë projekt ta realizoj në bashkëpunim me drejtoritë e sporteve të Komunave të ndryshme në vendin tonë, si dhe me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, dhe Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat