Curry-Durant udhëheqin Warriors drejt fitores së 7 radhazi

Basketboll

Curry-Durant udhëheqin Warriors drejt fitores së 7 radhazi

Më: 3 nëntor 2018 Në ora: 08:55
Curry-Durant

Stephen Curry dhe Kevin Durant shënuan së bashku 61 pikë, teksa kampionët e dyfishtë në fuqi të NBA-së, Golden State Warriors fituan sfidën e 7 radhazi, duke mposhtur 116-99 Minnesota Timberwolves mbrëmjen e së premtes.

Durant regjistroi 33 pikë dhe 13 topa në tabelë, ndërsa Curri kontribuoi me 28 pikë, 9 topa në tabelë dhe 7 asiste. Klay Thompson shënoi gjithashtu 22 pikë, e falë gjuajtjeve të njëpasnjëshme për 3 pikë në 50 sekonda distancë në fillimin e periodës së katërt, i dha Golden State kryesimin e përkohshëm 91-89.

Në përfundim të sfidës, trajneri Steve Kerr lavdëroi mbrojtjen e palëkundur dhe solide të të tijve. “Jam krenar për të gjitha përpjekjet që bëmë në mbrojtje, – tha ai. – Mendoj se mbrojtja në periodën e katërt ishte e jashtëzakonshme dhe bëri diferencën”.

Megjithatë, Derrick Rose u desh të largohej para kohe për shkak dëmtimi, vetëm dy net pasi ai shënoi rekordin e karrierës së tij, 50 pikë në fitoren kundër Utah Jazz. Për Minnesotën u dalluan Andrew Wiggins me 22 pikë dhe Jimmy Butler me 21 pikë, por që nuk shërbyen aspak në fund.

Në përballjet e tjera, Leonard shënoi 19 pikë teksa Toronto Raptors zgjatën nisjen më të mirë sezonale në historinë e kanadezëve, duke mposhtur 107-98 Phoenix Suns. Jonas Valanciunas shënoi 16 pikë, ndërsa Serge Ibaka kontribuoi me 15 të tjera, me Raptors që regjistrojnë tashmë 8 fitore dhe vetëm një humbje. Kyle Lowry, me 11 pikë dhe 12 asiste, ishte një tjetër kontribues në fitoren e Torontos, e cila në vitet 2014 dhe 2016 kishte regjistruar nisjet më të mira me 7 fitore dhe dy humbje.

Në Nju Jork, Chris Paul shënoi 32 pikë dhe kapi 11 topa në tabelë, teksa Houston Rockets ia doli të triumfonte ndaj Brooklyn Nets me rezultatin 119-111. Carmelo Anthony regjistroi 28 pikë, Clint Capela e mbylli me 22 pikë dhe 13 topa në tabelë, ndërsa Eric Gordon kontribuoi me 21 pikë për Rockets, një ekip që kishte përfunduar si mos më keq me 1 fitore dhe 5 humbje në këtë fillimsezoni, e gjitha pasi kishin fituar 65 ndeshje dhe humbën finalet e NBA-së vetëm për një ndeshje sezonin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat