Milwaukee Bucks shtangë kampionët e NBA

Basketboll

Milwaukee Bucks shtangë kampionët e NBA

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 12:04
Pamje nga ndeshja

Në mesnatë janë zhvilluar katër ndeshje të NBA.

Milwaukee Bucks përkujdeset për befasinë e mbrëmjes duke mposhtur Golden State Warriors.

Pas tetë fitoresh radhazi kampionët në fuqi të NBA pësuan një humbje shokuese brenda në Oracle Arena nga skuadra nga Wisconsin me rezultatin e thellë 111-134.

Kjo ishte disfata e dytë sezonale për Warriors që përballë Bucks vuajtën mungesat e dy prej lojtarëve më efikas në fazën mbrojtëse Draymond Green dhe DaMarcus Cousins të cilët munguan për shkak të lëndimeve.

Eric Bledsoe me 26 pikë dhe Giannis Antetokounmpo me 24 ishin dy pikëshënuesit më të mirë të Milwaukee. Në anën tjetër te Warriors lojtari më i mirë mbi parket ishte Klay Thompson me 24 pikë.

Rusell Westbrook vazhdon të mungojë por Oklahoma nuk ndalet. Në Chesapeake Arena, Thunder regjistruan fitoren e shtatëtë radhazi falë treshes, George-Adams-Schroder. Oklahoma mposhti me rezultatin 98-80, Houston Rockets në një ndeshje të dominuar nga vendasit në të cilën James Harden realizoi vetëm 19 pikë.

Vazhdon ecuria e mirë edhe për Portland Trail Blazers në këtë fillim sezoni. Skuadra nga Oregoni triumfoi 116-105 ndaj Los Angeles Clippers në Moda Center duke blinduar vendin e tretë në Konferencën e Perëndimit. Damian Lillard me 25 pikë dhe CJ McCollum me 23 pikë ishin dy lojtarët më të mirë të skuadrës vendase.

Fitore e vështirë për Boston Celtics i cili ia doli të triumfonte në vazhdime ndaj Phoenix Suns.

Kyrie Irving me 39 pikë ishte basketbollisti më i mirë i mbrëmjes për ekipin e Celtics.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat