Ferati: Kosova të luajë pa respekt të tepruar ndaj Rumanisë

Basketboll

Ferati: Kosova të luajë pa respekt të tepruar ndaj Rumanisë

Nga: Kemajl Goca Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 17:56
Ferati: Kosova të luajë pa respekt të tepruar ndaj Rumanisë

Rumania me shumë të panjohura për kombëtaren e Kosovës! Kosova pretendon fitore në Oradea për të mbajtur gjallë shpresat për vend të parë në grupin B të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2021 në basketboll. Dardan Berisha me bashkëlojtarë do të luftojnë me gjithë arsenalin që posedojnë që të kthehen me fitore, që do të ishte motiv shtesë para sfidës së 2 dhjetorit në fushën e Maqedonisë.

Përballja mes Rumanisë dhe Kosovës do të zhvillohet nesër (17.00) dhe është sfidë e zorshme për djelmoshat tanë. Kosova ka zhvilluar një ndeshje në kryeqytet dhe ka pësuar humbje me 76:73 nga Maqedonia. Edhe rumunët e nisën me humbje, duke u mundur nga Maqedonia vendase, me rezultat 90:76.

Ish basketbollisti i mirënjohur Ismet Ferati, tha se nuk është aspak lehtë me rumunët. “Sfida e radhës ndaj Rumanisë nuk do të jetë aspak e lehtë, për arsye se kemi të bëjmë me një reprezentacion solid, i cili në 3 vitet e fundit ka ndërruar konceptin e lojës dhe e ka ngritur lojën e vet në një nivel tjetër. Reprezentacioni i tyre U-20 para dy viteve ka qenë kampion në divizionin B dhe 3 lojtarë prej tyre janë inkuadruar në ekipin A, ndërsa kanë qenë edhe pjesëmarrës në kampionatin e fundit Europian, ku kanë treguar lojëra të mira.

Luajnë mbrojtje të fortë dhe kanë kundërsulme të shpejta. Ne duhet të luajmë pa respekt të tepruar edhe pse do të jetë vështirë, pasi që mungojnë Kastrati dhe Bamfort, ndërsa disa lojtarë tjerë nuk janë në formë të mirë për shkak minutave të pakta në ekipet e tyre, humbjes së vetëbesimit dhe mungesës së përvojës në këto lojë. Do të jetë vështirë, por jo edhe e pamundur që të luhet me ta.

Nëse i ndalim kundërsulmet e tyre mund të kemi gjasa për fitore, përndryshe Rumania do të jetë më afër fitores”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Ferati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat