Selektori i Kosovës merakli në kafshë!

Boksi

Selektori i Kosovës merakli në kafshë!

Nga: Kemajl Goca Më: 1 janar 2019 Në ora: 12:04
Shefki Bogujevci

Boksin e ka profesion, por në jetën private është shumë i përkushtuar në kafshët shtëpiake! Është fjala për Shefki Bogujevcin i cili është selektor i kombëtares së Kosovës, por shumë herë fokusin e ka në kafshët shtëpiake! Qysh si fëmijë kishte dashuri për kafshë dhe nuk mund të paramendonte jetën pa to. Ai tregon se është merakli i madh i kafshëve dhe i shpezëve, sepse janë një botë interesante.

“Jam merakli në shtazë. Si në lopë, si në pula, gusa, shota dhe i mbajë shumë. I mbaj sa për veti”, tregon për gazetën kombëtare “Bota sot”, Bogujevci. E pranon se boksi i merr kohë shumë herë, por nuk mund t’i lë anash edhe kafshët, sepse i vlerëson si shumë të rëndësishme.

“Boksi me merr kohë! Por kur shkoi në përgatitje disaditëshe, është shoqja që kujdeset për to”, theksoi ish boksieri i gjeneratës së artë të Prishtinës.  Bogujevci kalon një jetë të mirë në fshatin Bresje të Fushë Kosovës. “Shoqja i këqyrë kafshët shtëpiake kur unë jam në aktivitetet sportive, sepse nuk kam fëmijë. Jetoj vetëm me shoqe”, tregon ai.

Si i lindi dashuria për kafshë?

“Merakli jam prej fëmijërisë. Fshati im Bresja i ka pasur kushtet jashtëzakonisht të mira, por tash kjo rrugë, kjo autostradë që u ndërtua, ka shkaktuar telashe, se nuk kemi hapësirë të bollshme përpara për të kullotur lopët”, thotë selektori. Në fshatin e tij ka edhe disa hektarë tokë, por e ka së bashku me nënkampionin e botës në boks në vitin 1978, vëllain e tij Mehmetin.

“Kemi tokë, gati tre hektarë në Bresje. Mehmeti vjen nganjëherë dhe ka merak mish pule, të gatshme. Të pjekura”, qeshet Shefkiu! Boksit nuk i ka pa hair asgjë në vitet e pas luftës, vetëm shpenzime: “Me boks asgjë nuk ka fituar, veç që kemi humb, si selektor as rrogë nuk kam, me patën premtuar diçka dhe nuk ka asgjë. Ka obligime familjare, ka shpenzime”.

Shefkiu ka pasur një karrierë të pasur sportive dhe e ka nisur në klubin e Vojvodinës, në Spartak të Suboticës, që është në kufi të Hungarisë! “Në vitin 1969 deri 1973 boksova në Spartak të Suboticës. E kam kryer edhe shkollën hekurudhave, ndërsa në vitin 1973 jam ardhur në KBO Prishtina dhe kam boksuar deri në vitin 1978. Nga viti 1978 kam qenë edhe trajner i boksit e deri më sot”, ka thënë Shefkiu. Një kohë ka punuar edhe në hekurudhën e Fushë-Kosovës.

“Kam punuar deri në vitin 2005 në hekurudhë të Fushë Kosovës, tani me patën larguar nga puna, por pastaj kryetari i Komunës së Fushë Kosovës me ka punësuar”, ka deklaruar ai. I lindur në vitin 1953 dhe tani ka 65 vjet, është në pension. “Jam në pension dhe marr 172 euro. Vështirë shumë vështirë me ia dalë me 172 euro”, përfundoi Bogujevci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat