Salihu: Unë jam më i madhi, Besim jep dorëheqje 

Boksi

Salihu: Unë jam më i madhi, Besim jep dorëheqje 

Nga: Kemajl Goca Më: 29 janar 2019 Në ora: 16:56
Aziz Salihu

Legjenda e boksit, Aziz Salihu, aktualisht kryetar i KBO Prishtina, është i revoltuar që disa gojëkëqij e përgojojnë dhe i bëjnë vetëm sherre. Ai tha se është më i madhi dhe askush nuk është sikurse ai dhe kërkon Besim Hasani që të jap dorëheqje nga posti i presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës!

"Jam shumë i demoralizuar me emrin tim dhe që po luajnë me mua. Unë nuk e di se si mund të harrohen gjërat e mira që i kam bërë për popullin shqiptar. Jam pjesëmarrës në tri olimpiada dhe tri olimpiada mi kanë marrë fitoret dhe e dinë e gjithë bota këtë. Sot Aziz Salihu i premtojnë gjërat, kurse familjen time ma kanë lënë rrugës. E dinë të gjithë se kurrë se kam përmendur lokalin ’Zizi’, që ma ka marrë okupatori serb gjithashtu edhe banesën. Unë kam mundur me shkuar në Amerikë, Gjermani, Zvicër dhe sot i kisha pasur të gjitha të mirat. Mendoj se Aziz Salihut nuk do t’ia harrojnë ato të mirat që ka bërë sepse nuk e meritoj.

Po i shoh njerëzit që kurrë si kam pa me sytë e mi në sport (sepse gjithherë e kam përcjellë sportin e pavarur) dhe sot janë të pranishëm në sport.  Kur kam qenë në ish Jugosllavi, jo që kam qenë njëshi por isha shumë i madh, krejt shqiptaria me mu është mburrur, sot me kanë lënë anash edhe fol për mua turli hajni, pishperiku, banditi etj. Mendoj se gabimet më të mëdha i bëra për njerëz që kam bërë për ta dhe sot më kanë kthyer shpinën, një njeriut që është emër i madh i botës. Ata që flasin keq për mua, ata janë njerëz që nuk janë të vlefshëm, sot kanë mbetur askund dhe nuk mund me nderuar një emër si Salihu, medalist olimpik në vitin 1984 (medalje e bronztë).  Shkojnë te disa sponsorë dhe mundohen të ma humbin autoritetin.

Janë disa njerëz, disa sportistë që vijnë këtu në hotel edhe me përgojojnë pa nevojë.  A është marre? I mashtrojnë njerëzit e gjithçka tjetër. E di që bota gjithherë iu ka ndihmuar sportistëve të mëdhenj kur kanë mbetur rrugëve, siç është Tysoni, të cilin e kanë ftuar për reklama dhe i kanë bërë miliarderë. Nuk më thërrasin në televizionet që ta tregoj të vërtetën. Vend që mu gëzuar, ata nuk më thërrasin”, tha Salihu për gazetën kombëtare “Bota sot” .

'Zizi’ kërkon me çdo kusht që Besim Hasani me dhanë dorëheqje nga posti i presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës. “Unë jam më i madhi, Besim jep dorëheqje. Besim Hasani, është marre për ty me dal televizion, mi ia dhanë sportistit 50 a 100 euro,  kur unë isha në olimpiadë kam marr para shumë më shumë. Pse Besimi po koritesh me 50 e 100 euro, e më thënë këta sportistë marrin pjesë në olimpiadë. Çka mundet me bë ai me 50 euro, ai duhet mi pas të tërat, ushqimin e krejt kushtet. Mos bëni kësi gjëra, mos i mashtroni sportistët. Mëkat është që 20 vite KOK nuk ka bërë asgjë.

Nuk i dojnë emrat e mëdhenj aty. Duhet të largohesh Besim sa më shpejt, mi lanë njerëz të sportit dhe me iu dhanë hapësirë njerëzve të sporteve olimpike. Besim, keni bërë gabime të mëdha dhe nuk do ti them tash, vjen koha kur t’i numërojë. Unë jam themelues i KOK-ut, jam i maltretuar e i rrahur nga okupatori serb. Gjithë sponsorët dhe firmat e mëdha kanë probleme! Marre mos i rreni sponsorët e firmat për mu.  E dini të gjithë, se në moshën 33 – vjeçare ka qenë fundi të boksosh në Olimpiadë, shkaku im kanë lejuar deri 34 vjet në Seul në vitin 1988, kështu bota me ka nderuar e ma ka dhënë të drejtën”, tregon “Zizi”.

“Më premtuan banesë, me lanë pa banesë, me rrejtën këto kllapa, ndoshta edhe disa kolegëve të mi po ia shoh sherrin. Ju lutem, bëheni burra, Aziz Salihun e dojnë popullin. Dihet se ‘Zizi’ ka punuar për pavarësi të Kosovës. Unë së bashku kombin shqiptar kemi qenë kundër okupatorit serb. Nuk jetohet me pishperika e banditë. Të gjithë sponsorëve iu bëjë me dije, mos i dëgjoni matrapazët e hajnat. Është marre mu mi humbë meritat, një njeriu që ka botuar libra e dokumentarë. A është marre me shkuar e mi lut televizionet, mu me dhënë hapësirë, kur dihet që unë jam emër i madh, i pari shqiptar medalist olimpik nga Kosova. Basketbolli, futbolli, hendbolli, boksi, atletika dhe tenisi, ku janë këto sporte, sporte me emra që duhet me bërë çmos me kthyer namin e dikurshëm. Më në fund, i përshëndeti me gjithë zemër që të punojnë të gjithë dhe së bashku të bëjmë sportist, të janë ambasadori më i mirë i shtetit, të bëjmë një bum, të shkojmë në olimpiadë, të shkojnë shumë sportistët  e ardhshëm.

E lus ministrin e sportit dhe KOK-un që të bëjnë çmos për sportistët, të ju ndihmojmë, t’i sigurojnë kushte për punë, për kampe e për përgatitje, me pas sportist kulmorë. Në ish Jugosllavi e dini vet çka ka bërë klubi i boksit Prishtina dhe ka pasur shumë medalje, edhe dëshira ime është që edhe tjera sportet të kanë suksese. I falënderoj sponsorët, që jeni zemra ime, pa ta nuk mund të bëjmë asgjë”, përfundoi Salihu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat