Eddie Hearn përmend tre stadiume ku mund të zhvillohet meçi ndërmjet Joshua dhe Whyte

Boksi

Eddie Hearn përmend tre stadiume ku mund të zhvillohet meçi ndërmjet Joshua dhe Whyte

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 23:19
Meçi ndërmjet Anthony Joshua dhe Dillian Whyte në O2 Arena në dhjetor 2015 

Eddie Hearn ka përmendur tre stadiume, pos Wembleyt, ku mund të zhvillohet meçi ndërmjet Antony Joshua dhe Dillian Whyte.

Dy boksierët për herë të parë janë ndeshur në dhjetor të vitit 2015, kur AJ triumfoi në raundin e shtatë.

Që atëherë, ka ndodhur shumëçka në karrierën e tyre. Joshua është bërë kampion i unifikuar botëror, ndërsa Whyte ka regjistruar nëntë fitore radhazi.

Promovuesi Hearn e ka caktuar stadiumin Wembley si arenën për meçin e radhës për boksierin britanik që pritet të ndodhë më 13 prill, mirëpo akoma nuk dihet se kush do të jetë kundërshtari i tij.

Përpjekjet për një duel me kampionin e WBC-së, Deontay Wilder, janë zbehur, ndërsa Tyson Fury është i vendosur për një rimeç me amerikanin pas barazimit në muajin dhjetor.

Në mungesë opsionesh, Hearn ka kërkuar që Whyte të jetë kundërshtari i Joshuas në pranverë, mirëpo deri më tani, ai e ka refuzuar ofertën duke kërkuar më shumë para.

Kjo ka bërë që AJ të mendojë për një duel në Madison Square Garden në muajin qershor kundër sfiduesit Jarrell Miller, që do të shënonte debutimin e britanikut në SHBA.

Në ndërkohë, Hearn ka thënë se është i gatshëm ta ndërrojë vendin dhe datën nëse arrihet marrëveshja me Dillian.

“Në një stadium tjetër. Olympic Stadium, Emirates, Twickenham. Nuk është diçka që po e kërkojmë tash për tash. Nuk kemi arritur marrëveshje me Dillian Whyte, por nëse arrijmë, mendoj se mund të shtyhet data”, ka deklaruar promovuesi i Joshuas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat