UFC-235: Woodley dorëzon titullin, “makthi nigerian” kampioni i ri i botës

Boksi

UFC-235: Woodley dorëzon titullin, “makthi nigerian” kampioni i ri i botës

Më: 3 mars 2019 Në ora: 09:14
Kamaru Usman, Tyron Woodley

Nigeriani Kamaru Usman është kampioni i ri i botës në peshën “welter” (pesha 71-77kg) në artet marciale mikse. Ai mundi me vendim unanim të gjyqtarëve Tyron Woodley, që dorëzoi titullin kampion të këtij Divizioni në eventin UFC-235, zhvilluar sot në Las Vegas. Usman është nigeriani i parë dhe sportisti i parë i lindur në Afrikë që bëhet kampion në artet marciale mikse 

Një duel mjaft i bukur, me 5 raunde, sfidë e dominuar nga “makthi nigerian”, ende i pamposhtur në kafaz (10 fitore e asnjë humbje) në karrierën e tij. Woodley zhvilloi një duel nën mundësitë e tij, duke mos dhënë atë që pritej në kafaz dhe pasi e mbrojti 4 herë titullin tashmë është detyruar të heqë dorë prej tij.

Të tri gjyqtarët votuan në favor të Usman (50-44, 50-44 dhe 50-45), çka tregon se nigeriani ishte më superior në kafaz në të 5 raundet, duke goditur disa here rivalin me grushte e shkelma, duke e merituar fitoren. Për Woodley, që çaloi në fazën mbrojtëse, kjo është humbja e katërt në karrierë, ku numëron edhe 19 fitore e 1 barazim.

Falë këtij suksesi, Usman hedh kandidaturën për t’u cilësuar si një nga më të mëdhenjtë e peshës “welter”, teksa ende nuk ka asnjë humbje në këtë Divizion. E ardhmja për të duket e ndritur dhe rivali i radhës do të jetë një mes Ben Askren dhe Colby Covington .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat