Kjo do të jetë sfida më e madhe

Boksi

Kjo do të jetë sfida më e madhe

Më: 15 mars 2019 Në ora: 11:23
Wilder e Joshua

Sfida e madhe e peshës së rëndë për të unifikuar titujt kampionë bote mes boksierëve Deontay Wilder dhe Anthony Joshua është shumë pranë realizimit.

Lajmin e ka konfirmuar Eddie Hearn, menaxheri i Joshua, që shtoi se palët janë pranë marrëveshjes, duke qenë se ky është edhe vullneti i tyre. Joshua mban titujt kampionë bote në kategoritë IBF, WBA dhe WBO, ndërsa Wilder mban titullin e kategorisë WBC.
Britaniku Joshua ka konfirmuar se do të mbrojë titujt kampionë bote më 1 qershor, në duelin që do të zhvillojë në Nju Jork ndaj Jarrell Miller. Ndërsa amerikani Wilder pritet të duelojë më 18 maj ndaj Dominic Breazeale, por kjo sfidë ende nuk është zyrtarizuar. Pritet që Wilder të kalojë në platformën televizive DAZN, ku ndodhet edhe Joshua, çka do ta lehtësonte një marrëveshje për duelin mes tyre në fund të 2019-ës. 

Për “Sky Sports”, Eddie Hearn tha: “Situata është shumë inkurajuese. Nuk dua të kaloj në eufori, por si ndërmjetës për të realizuar këtë duel mendoj se këtë herë gjërat janë drejt finalizimit. Nuk e mohoj që marrëdhëniet mes dy stafeve nuk janë të mira, pasi secila anë synon të përfitojë sa më shumë ekonomikisht nga kjo sfidë. Por të dyja palët e duan këtë përballje të madhe dhe unifikimin e titujve kampionë”.

“Kjo do të jetë sfida më e madhe e boksit e sidomos e peshës së rëndë në dekadën e fundit. kemi dy boksierë të pamposhtur që mund të dhurojnë një duel të madh dhe arkëtojnë shumë. Gjasat janë që kjo përballje të zhvillohet në nëntor ose dhjetor. Nëse dy boksierët humbasin në duelet e radhës dhe humbasin titujt, atëherë situata nuk do të jetë më e njëjtë. Gjithsesi, mendoj se në nëntor të dy boksierët do të jenë kampionë”, tha Hearn.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat