Pëfundon meçi i Shpëtim Shalës kundër gjermanit Boesel – raporti i plotë

Boksi

Pëfundon meçi i Shpëtim Shalës kundër gjermanit Boesel – raporti i plotë

Më: 14 prill 2019 Në ora: 00:08
Shpëtim Shala

Shpëtim Shala nuk e ka shfrytëzuar mundësinë e papritur për t’u shpallur kampion evropian në versionin EBU të kategorisë gjysmë të rëndë (-81 kg), pasi humbi me nokaut ndaj boksierit më të mirë gjerman në këtë kategori, Dominic Boesel.

Në një meç – ashtu edhe siç pritej – të dominuar nga gjermani Boesel, kosovari nga Peja e pa veten në vështirësi që në raundin e parë të meçit të zhvilluar në Erdgas Arena në Halle të Gjermanisë.

Shala, i cili në këtë meç hyri papritur pasi zëvendësoi një sfidant tjetër, pësoi nokdaun që në raundin e parë. Nuk kaloi as një minutë prej fillimit të ndeshjes, kur pas disa goditjeve me kombinime – i ndihmuar edhe nga rrëshqitja e Shalës – boksieri kosovar pësoi nokadaun.

Boesel e dominoi takimin pavarësisht disa “shkëndijave” të Shalës për të përmbysur meçin që dukshëm i takonte boksierit gjerman.

Në raundin e shtatë, Shala pësoi tjetër nokdaun, para se meçi të mbyllej me fitoren e Boeselit në raundin pasardhës. Me nokaut teknik në raundin e tetë, Boesel triumfoi për t’u shpallur kampion evropian i kategorisë EBU në kategorinë gjysmë të rëndë, raporton Insporti.

Për këtë titull, Boesel ishte paraparë të boksonte me boksierin shqiptar Orial Kolaj. Madje, Kolaj dhe Boesel kishin kryer edhe procedurën e peshimit zyrtar dhe gjithçka ishte gati që meçi të zhvillohet sonte.

Kjo ishte humbja e tretë në karrierën e Shpëtim Shalës pas 27 meçeve të zhvilluara. Tash, ai ka 23 fitore, 3 humbje dhe 1 barazim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat