Haxhi Krasniqi: Jam më i mirë në aspektin tekniko-taktik

Boksi

Haxhi Krasniqi: Jam më i mirë në aspektin tekniko-taktik

Më: 8 maj 2019 Në ora: 13:16
Haxhi Krasniqi: Jam më i mirë në aspektin tekniko-taktik

Haxhi Krasniqi është i gatshëm për duelin e së shtunës me Stefan Hartel, i cili po konsiderohet si “meçi i vitit”. Boksieri ynë synon ta mbrojë titullin e kampionit evropian. Krasniqi po e pret me padurim meçin e ardhshëm, i cili do të zhvillohet këtë të shtunë.

Në konferencë për shtyp, boksieri kosovar ka thënë se është i gatshëm për ta mposhtur kundërshtarin Stefan Hartel dhe me këtë rast për të mbrojtur titullin e kampionit evropian në “Magreburg Stadthalle” më 11 maj.

Promotori i SES, Ulf Steinforth e ka konsideruar këtë si “luftën e vitit”, ndërsa junikasi nuk ka boksuar që nga muaji nëntor i vitit 2018.

Madje, edhe vjet ishte paraparë një meç në mes të këtyre dy boksierëve, por në fund kishte dështuar pasi boksieri gjerman ishte tërhequr për shkak se ishte sëmurë.

Tash, Krasniqi është i fokusuar totalisht tek meçi i radhës, të cilin synon ta fitojë për t’iu afruar edhe më shumë titullit të kampionit botëror.

“Ai dëshiron të ëndërrojë dhe ta shijojë luftën e tij të fundit të madhe”, thotë kampioni evropian, i cili do të mundohet ta mbrojë brezin e artë për herë të dytë.

“Unë jam më i mirë në aspektin tekniko-taktik. Jam më i mirë edhe në aspektin fizik, do ta shohim këtë të shtunë”, nënvizoi ai.

Krasniqi ndihet i lumtur që do të boksojë në Magreburg, ku ndihet si në shtëpi pasi thotë se ka jetuar 6 vjet aty dhe se ka miq dhe fansa atje.

Ndërsa, Hartel ka thënë se do ta mposhtë Krasniqin dhe do ta bëjë atë të pensionohet, ndërkohë që ka shtuar se Magreburgu është vend special edhe për të, pasi aty e kishte nisur karrierën.

Meçi ndërmjet Krasniqit dhe Hartel do të zhvillohet të shtunën duke filluar nga ora 23:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat