Boksieri nga Kosova, Haxhi Krasniqi, është i përgatitur maksimalisht dhe me padurim pret që të futet në ring në duel me gjermanin Stefan Hartel. Pritet një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë që të janë në sallën “Stadthalle” në Magdeburg të Gjermanisë, në përkrahje të boksierit tonë. Krasniqi pretendon fitore në mbrojtjen e titullit të kampionit në kategorinë super të mesme në boksin profesionist. Krasniqi dhe Hartel u maten në orët e pasdites dhe peshuan njësoj, 75.8 kilogramë.
Junikasit ka të gjitha detajet se ku është më i rrezikshëm boksieri rival dhe në asnjë formë nuk i frikësohet. Krasniqi ka përparësinë, sepse ka përvojë dhe është boksier shumë më i mirë se Hartel, ashtu mendon ish boksieri i mirënjohur Mehmet Bogujevci, aktualisht sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, si dhe gjyqtari ndërkombëtar Latif Demolli. Meçi zhvillohet nesër rreth orës 22.35 dhe pritet me emocione të mëdha qoftë nga kampi i Haxhiut e qoftë nga ai i gjermanit.