Bogujevci: Jemi shumë afër medaljes

Boksi

Bogujevci: Jemi shumë afër medaljes

Nga: Kemajl Goca Më: 25 qershor 2019 Në ora: 16:36
Kombëtarja e Kosovës

Boksieri Patriot Behrami (-69 kg) e ka rastin e artë që të kualifikohet në gjysmëfinale të Lojërave Evropiane Minsk 2019. Behrami është në formë jashtëzakonisht të mirë dhe me padurim e pret përballjen çerekfinale kundër Lorenzo Sotomayor nga Azerbajxhani. Në rast se Behrami fiton sfidën e nëserme atëherë e siguron medaljen, që do të jetë e para e pasluftës në histori të boksit të Kosovës për seniorë.

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Shefki Bogujevci, tha se është atmosferë shumë e mirë brenda kampit të tyre. Ai i thur elozhe Patriotit që u tregua patriot i madh në luftë me italianin Vincenzo Mangiacapre.  Boksieri i kombëtares së Kosovës, njëherësh i KBO Gollakut, e mposhti medalistin e bronztë në Lojërat Olimpike Londra 2012.

Një fitore senzacionale që mahniti të gjithë të pranishmit. Ky boksier është zbuluar dhe formuar nga trajneri Besim Brahimi.  Përzgjedhësi tha se boksi ynë përkundër vështirësive të mëdha, ka përparuar dhe dëshmia më e mirë është Behrami që u fut në mesin e tetë boksierëve më të mirë në Lojërat Evropiane. Bogujevci shpreson se pas tri medaljeve që xhudoja ia solli Kosovës (një e artë, një e argjendtë dhe një e bronztë), do të jetë edhe boksi që do ta sjellë medaljen e katërt! Po ashtu ka folur edhe për boksierin Sotomayor, si dhe për atmosferën në Minski.

“Bota sot”: Shefki, Behrami është në çerekfinale, një fitore e madhe kundër italianit, çfarë e ka veçuar? 

Shefki Bogujevci: Patriot Behrami na ka befasuar me një boks shumë të mirë, me një teknikë të përsosur, i cili me meritë e mundi kroatin, pastaj edhe italianin Vincenzo Mangiacapre. Italiani ishte një boksier i përsosur që ka marrë medalje në Olimpiadë dhe në Kampionatin Botëror. Behrami boksoi me mençuri dhe triumfoi. 

“Bota sot”: Behrami të mërkurën (nesër) përballet me Lorenzo Sotomayor nga Azerbajxhani, një sfidë shumë e vështirë?
Shefki Bogujevci:
Presim fitore. Sotomayor që bokson për Azerbajxhanin është me prejardhje kubaneze, një kampion olimpik dhe evropian, besoj se Behrami do ta përballoj jashtëzakonisht mirë. Mos të harrojmë se edhe përgatitjet e përbashkëta na kanë ndihmuar shumë me Shqipërinë, me Bullgarinë, pastaj me Malin e Zi e Maqedoninë Veriore.

“Bota sot”: Behrami afër zonës së medaljes? 
Shefki Bogujevci:
Behrami ka befasuar të gjithë, momentalisht është i teti prej më të mirëve në Evropë. Nëse nesër fiton e siguron medaljen, do të jetë medalja e parë në histori pas luftës për seniorë në boksin e Kosovës. Jemi shumë afër medaljes. Jemi ardhur shumë afër medaljes, shpresojmë edhe në fat sportiv. Besoj se djali është në formë, nuk u lodhë, besoj se do të përballojmë edhe këtë xhiro dhe ta kemi medaljen në xhep.

“Bota sot”: Cila është atmosfera në Minski?
Shefki Bogujevci:
Atmosfera është shumë e mirë, djali ka boksuar mençur e më shumë u lodhë në meçin e parë se të dytin me italianin. Italiani ka qenë më i mirë se kroati dhe më i papërshtatshëm, por Behrami boksoi me mençuri dhe taktika e ka mposhtur forcën. Nuk e ka lejuar që ai të marr përparësinë por i ka shfrytëzuar gabimet e rivalit.  A ka më krenari kur jemi afër zonës së medaljes dhe këta çuna janë të rinj, po shkojnë përpara dhe shpresojmë se do na bien suksesin. Djem e vajza janë e ardhmja dhe vetëm duhet me punuar, duhet me financuar më shumë, me iu ndihmuar më shumë sepse kemi mbet si jetimë pa na ndihmuar askush. 

“Bota sot”: Kush iu ka befasuar më së shumti?
Shefki Bogujevci:
Më së shumti më ka befasuar publiku, publiku bjellorus kur po duartrokasin për Kosovën. Në çdo sallë në Minski janë flamujt e Kosovës, po ashtu valojnë edhe në kamp valojnë, kjo është diçka e papërshkrueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat