Tyson: Jam një demon i arratisur nga ferri - Bota Sot
Tyson: Jam një demon i arratisur nga ferri

Boksi

Tyson: Jam një demon i arratisur nga ferri

Më: 27 qershor 2019 Në ora: 12:09
Tyson: Jam një demon i arratisur nga ferri

Një herë e një kohë Mike Tyson ishte një përbindësh, një bishë e vërtetë që në ring nuk falte askënd, duke hedhur K.O. thuajse gjithë rivalët e vet, derisa erdhi rënia, me dhunën, drogën, seksin ekstrem, sherret, incidentet, falimentimin dhe burgun. "Ato kohë kanë marrë fund", garanton kampioni më i ri i botës në peshat e rënda, i cili në një intervistë të gjatë për Gazzetta dello Sport ka folur për gjithçka, për të shkuarën dhe të tashmen, shkruan telesport.

Joshua kundër Anthony Ruiz, mos është fillimi i fundit, si ndodhi me ty në Tokio, në 1990, kur u munde nga Buster Douglas?

"Ajo humbje më bëri mirë. Gabova dhe të gjithë e kuptuan që nuk isha më i pathyeshëm. Megjithatë, ajo humbje më bëri më njerëzor, më të madh. Rivalët donin të ishin si unë. Të gjithë kemi bërë gabime në jetë, por nuk dorëzohemi dhe vazhdojmë të luftojmë dhe të mësojmë. Si Serena Williams: nëse fiton është fantastike, nëse humbet është e zakonshme. Kështu është jeta e kampionëve: momenti yt mbaron kur nuk fiton më".

Fury thotë që Joshua ka marrë fund.

"Jo, për mua mbetet më i miri. Mjafton të ketë më shumë besim te vetja dhe të mos ndodhë më të humbasë ashtu. Shoh tek ai pak nga vetja ime, do kthehet numri 1. Unë përjetova momentin tim më të keq kur pësova humbjen e parë, më i miri ishte kur u shpalla kampion bote".

Pa dekada që nuk po shohim një pasardhës të Tyson: kush do jetë?

"Nuk e di. Tani ka më shumë boksierë dhe më shumë mundësi sesa në 1996, ka më shumë televizione, interneti lejon sfida të pamenduara më parë. Kjo është e ardhmja".

Kush do fitonte në një duel Tyson-Muhamed Ali?

"Sot, me holograme kompjuterike, mund ta zbulojmë. Vetëm me teknologji mund të thuash kush ishte më i miri i gjithë kohërave. Ka njerëz që pasurohen me këto gjëra".

Canelo Alvarez, Mayweather, Wilder, Ruiz, Fury: cilin preferon?

"Për mua goditësi më i mirë është ukrainasi Lomachenko, edhe pse nuk garon në peshat e rënda dhe nuk e njeh askush. Gjithashtu, vendos ende bast për Joshua".

A është ende Mike Tyson njeriu më i keq në planet?

"Mbetem ai që vjen nga një lagje famëkeqe, kjo gjë të lë shenjë për tërë jetën. Kam njohur urinë, krimin, drogën, të gjitha janë akumuluar brenda meje. Luftoja për t'u larguar nga ai vend, për të mos vdekur atje. Kam provuar gjithçka, isha një kriminel i vogël, por u rebelova dhe ndryshova jetë. U largova nga ferri, edhe pse kam ende demone brenda".

Ke ndryshuar jetë, por ndërkohë ke investuar në biznesin e kanabisit...

"Po, por është biznes, nuk e kam prekur kurrë hashashin. Për qëllime terapeutike dua të ndihmoj ata që vuajnë dhe nuk kanë mundësi për kura mjekësore. Kanabidioli, molekula që ndodhet te kanabisi, ndodhet kudo, në kafe, do jetë në ushqim, do na ndihmojë për t'u bërë njerëz më të mirë. Në disa vende nuk i pranojnë këto gjëra, por unë që tani kam një marrëveshje prej 500 milionë dollarësh me një kompani britanike".

Ke 7 fëmijë, a do bëhet ndonjëri boksier?

"Nuk do i lejoj kurrë fëmijët e mi të merren me boks. Është i rrezikshëm, shpesh boksierët janë të varfër, zhvillojnë dhjetëra ndeshje pa fituar asnjë dollar".

Epopeja jote nisi me 19 fitore rresht që në raundin e parë, me K.O. Çfarë mbetet nga ai Tyson?

"Kur fitoja, mendoja: 'mund të bëj maksimumin'. Më pas jeta ecën dhe nis të humbasësh. Njerëzit që do, flokët, ndonjëherë dëshirën për të jetuar: nuk bëhet më fjalë për të fituar sa më shumë dhe sa më shpejt. Në fund do humbasësh gjithmonë".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...